Bie besimi në ekonomi – Treguesi i ndjesisë ekonomike, rënie me 3.2 pikë në tremujorin IV 2017
Treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi një rënie të papritur gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues ra me 3.2 pikë, duke pasqyruar rënien e besimit në sektorët e ndërtimit, tregtisë e industrisë, si edhe rënien e besimit të konsumatorëve.
Rënia treguesve të besimit ndjek një tendencë të zbehjes së rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit. Pas stimulit të shpenzimeve zgjedhore në gjysmën e parë të vitit, ekonomia e ngadalësuar hapin dhe kjo është reflektuar edhe në besimin e bizneseve dhe konsumatorëve te ekonomia.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 2.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017. Kjo u përcaktuar kryesisht nga rënia e kontratave porositëse, me 6.4 pikë përqindje, dhe e prodhimit, me 1.9 pikë përqindje.
Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra me 12.4 pikë përqindje. Të dy komponentët formues të treguesit shënuan rënie, përkatësisht me 14.8 pikë përqindje aktiviteti ndërtues dhe me 10 pikë përqindje kontratat porositëse.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 9.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke u zhvendosur me rreth 1.5 pikë përqindje nën mesataren historike të tij.
Niveli më i ulët i treguesit u ndikua kryesisht nga rënia e balancës së ecurisë së biznesit, dhe në një masë më të vogël nga rënia e balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm.
Balanca e gjendjes financiare vlerësohet gjithashtu me rënie. Edhe treguesi i besimit konsumator shënoi rënie me 0.7 pikë përqindje në tremujorin e katërt, duke ndërprerë rritjen e dy tremujorëve të mëparshëm.
I vetmi sektor me rezultate pozitive ishte ai i bizneseve të shërbimeve, që u rrit me 2.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt 2017.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.