Bie besimi i shqiptarëve tek interneti dhe rrjetet sociale – Televizioni, burimi kryesor i informacionit
Me përjashtim të rrjeteve sociale, publiku në Shqipëri ka tendencën t’u besojë informacioneve dhe lajmeve që transmetohen në çdo platformë tjetër. Ky është rezultati që nxjerr anketa e fundit e EBU (Bashkimi Europian i Transmetuesve), e cila ka marrë në pyetje njerëz nga e gjithë Europa.
Në dallim nga pjesa tjetër e Europës, e cila ka tendencën të besojë më tepër informacionin në radio, në Europën Juglindore dominojnë televizioni dhe interneti. Siç shihet dhe në hartën e mësipërme, në Shqipëri televizioni ka besueshmërinë më të lartë.
Në përgjithësi, Shqipëria renditet si vendi me besimin më të lartë në media (80%), një pozicion që e ndan me Danimarkën, Finlandën dhe Suedinë. Megjithatë, këto vende kanë një besim të moderuar, ndërkohë që 42% e të anketuarve nga Shqipëria shprehen se kanë një besim të fortë në media.
Duke krahasuar rezultatet me ato të anketës së vitit të kaluar, publiku shqiptar mund të themi se është bërë më dyshues tek kanali i informacionit.
Besimi tek radio, edhe pse ende i lartë në 71%, ka rënë me 13% krahasuar me vitin 2016. Besimi tek televizioni është rritur me 20%, duke shkuar në 72%. Besimi tek shtypi i shkruar ka rënë me 3%.
Edhe besimi tek interneti ka rënë me 3%, por gjithsesi me 53% të të anketuarve që besojnë në këtë medium, jemi shteti i vetëm në Europë ku portalet konsiderohen të besueshme.
Rënia më e madhe e besimit nga viti në vit i ka takuar rrjeteve sociale. Nëse një vit më parë Shqipëria, bashkë me shumë shtete të tjera kishin besim tek ky medium, pas shpërthimit të “fake news” indeksi i besimit ka rënë masivisht. Nga 70%, besimi tek Facebook, Twitter dhe rrjete të tjera në Shqipëri ra në 42%, por duke qenë sërish shteti që shfaq besimin më të lartë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.