Bie kreditimi gjatë muajit Tetor
Kreditimi pësoi një rënie gjatë muajit Tetor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë për ekonominë ra në 552.3 miliardë lekë, një miliard lekë më pak krahasuar me Shtatorin.
Kjo rënie vjen pas një rritjeje për tre muaj radhazi, çka kishte forcuar besimin për një rimëkëmbje të kreditimit. Kredia mbetet në rritje vjetore pozitive me 0.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë që kreditimi i individëve mbetet në një rritje të ngadaltë, por të qëndrueshme, faktori përcaktues në luhatjet e portofolit të kredisë për ekonominë mbetet biznesi. Pas një rritje pozitive në muajt e mëparshëm, kredia për biznesin ra përsëri me rreth 1.5 miliardë lekë për Tetorin.
Ekspertët e sistemit bankar nënvizojnë se kredia dhënë nga sistemi bankar shqiptar dhe sidomos ajo për biznesin, ka një maturitet afatshkurtër. Kjo vjen për shkak të kërkesës së korporatave, që konsiston kryesisht në kredi për kapital qarkullues ose për overdrafte. Këto kredi zakonisht maturohen në pak se një vit dhe duhen rifinancuar sërish, së paku për të ruajtur të njëjtën përmasë të portofolit të kredisë për ekonominë.
Në fakt, për Tetorin kredia e re ka qenë ndjeshëm më e ulët krahasuar me muajt paraardhës. Bankat disbursuan vetëm 19 miliardë lekë kredi të re, ndërkohë që nga Prilli e në vazhdim sasia e kredisë së re mujore kishte qenë sipër vlerës së 22 miliardë lekëve. Nivelet më të larta ishin regjistruar në Prill dhe Qershor, me mbi 26 miliardë lekë kredi të re. Tetori nuk ka rezultuar në këto shifra ka qenë larg këtyre shifrave, çka ka rezultuar në tkurrjen e portofolit total të kredisë për ekonominë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.