Bie morali i investitorëve – Eurozonë, ka shqetësime, sidomos për të ardhmen
Morali i investitorëve në Eurozonë ka pësuar luhatje të lehtë gjatë Gushtit, duke marrë shtysë nga kushtet e favorshme ekonomike. Ajo që shqetëson është vetëm situata e jashtme, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Indeksi i ndjeshmërisë së investitorëve ra kështu në 27.7 pikë gjatë Gushtit, nga 28.3 pikë që ishte gjatë muajit Korrik, në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve.
Gjithsesi, shqetëson nën-indikatori që i referohet pritshmërive, në rënie në 16 pikë, nga 19.8 pikë që ishte më parë. Është bërë e qartë tashmë se, vrulli i ekonomisë e ka kaluar pikën e kulmit, argumentojnë ekspertët.
Gjithsesi, kjo është një tendencë globale, dhe Eurozona nuk kishte si të shpëtonte. Nën-indikatori i ndjeshmërisë së investitorëve që i referohet Gjermanisë ra për të tretin muaj me radhë, në 33.2 pikë, nga 37.5 pikë që ishte muajin parardhës.
Në rënie u regjistrua edhe nën-indikatori që i referohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Leximi i moralit të investitorëve vjen vetëm pak ditë pas të dhënave për moralin e biznesit dhe konsumatorëve, që prekën nivelin më të lartë në dekada.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.