Bie numri i aksidenteve në tremujorin e parë – Faji kryesor i këmbësorëve
Numri i aksidenteve rrugore dhe personave të aksidentuar kanë shënuar një rënie gjatë tremujorit të parë të vitit 2018. Po ashtu, në rënie është evidentuar edhe numri i personave që kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe.
Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë kësaj periudhe tremujore numërohen 370 aksidente rrugore, nga 388 krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 4.6%.
Ndërkohë, gjatë muajit Mars kanë ndodhur 123 aksidente rrugore, nga 152 të ndodhura gjatë Marsit të vitit 2017.
Lidhur me numrin e të aksidentuarve, sipas INSTAT për këtë tremujor, numri i tyre shkon në 483, duke ulur 8,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, numri i të vdekurve për këtë periudhë është 47, 14.5% më pak krahasuar me një viti më parë.
Gjatë Marsit të këtij viti janë aksidentuar 160 persona, që krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë, e cila numëronte 213, ka shënuar një rënie me 24.9%.
Lidhur me shkaqet e aksidenteve rrugore, sipas INSTAT vihet re rritja e numrit të tyre për shkak të sjelljes së këmbësorëve. Këta të fundit kanë shkaktuar edhe 21.6% të aksidenteve, duke shënuar një rritje me 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa, evidentohet në rënie me 8.5% numri i aksidenteve të ndodhura si rrjedhojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, që gjatë kësaj periudhe numëron 290 raste, nga 317 të ndodhura në periudhën Janar-Mars 2017.
Lidhur me grupmoshën që ka shkaktuar edhe numrin më të lartë të aksidenteve gjatë periudhës Janar-Mars 2018, rezulton 25 deri në 35 vjeç, ndjekur nga grupmosha 76 vjeç.
Numri më i lartë i aksidenteve të ndodhura në këtë tremujor rezulton në qarkun e Tiranës, ku evidentohet një rritje e lehtë e rasteve të ndodhura krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017. Ndërsa, numri më i ulët rezulton në qarkun e Kukësit, me vetëm katër aksidente të ndodhura gjatë kësaj periudhe.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.