Bie numri i grave të vetëpunësuara – Anketa/ 24.6 për qind punojnë pa pagë në biznesin e familjes
Numri i grave që vetëpunësohen përmes hapjes së një biznesi ka pësuar një rënie progresive nga viti në vit. Sipas të dhënave të anketës së zhvilluar nga INSTAT “Burrat dhe Gratë në Shqipëri 2020, vihet re se përqindja e grave të vetëpunësuara në vitin 2019, arrin në 19.6 për qind, shifër kjo më e ulta që nga viti 2016 ku regjistrohej në 21.6 për qind, ndërsa në 2015-ën, niveli arrinte në 14.5 për qind.
Shqetësues është fakti se gjithashtu ka pasur një rritje të numrit të grave që janë të punësuara si punëtore pa pagesë pranë biznesit të familjes, e regjistruar në 24,6 për qind në 2019-ën, apo niveli më i lartë në 4 vjet. Sa i takon qasjes së përgjithshme në tregun e punës të grave nga mosha 15-64 vjeç, pjesën më të madhe me 44 për qind e zënë ato që janë të punësuara me pagë, më tej renditen punonjëset pa pagesë në familje me 24.6 për qind, të ndjekur nga të vetëpunësuarat me 19.6 për qind dhe në fund renditen gratë që janë të papuna me 11.8 për qind. Megjithatë, pozitiv është fakti se gjatë vitit 2019 pjesëmarrja në forcat e punës dhe punësimi i kësaj kategorie është rritur.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.