Bie numri i infeksioneve në Indi / Ekspertët mendojnë se raportohen më pak. Mungesë e madhe e vaksinave
Rastet ditore të infeksioneve në Indi kanë rënë në nivelin më të ulët në 6 Javë, duke ofruar pak shpresë se vala e dytë shkatërruese po tërhiqet, pavarësisht se liderët qeveritarë janë shqetësuar për mungesë të vaksinave. Thuajse 3% e popullsisë prej 1.3 miliardë e vendit janë vaksinuar, që është norma më e ulët ndër 10 vendet me rastet më të larta të Covid, duke lënë Indinë dhe sistemin e dobët shëndetësor të cenuar ndaj një vale të tretë, sipas ekspertëve. Instituti i Serumit në Indi, që po furnizon me vaksinën e AstraZeneca, dhe firma tjetër lokale Bharat BioTech që po ofron Covaxin, kanë thënë të dyja se do rrisin prodhimin, por furnizimet janë shumë poshtë miliona dozave që i nevojitet Indisë. Në 24 orët e fundit , vendi regjistroi 196,427 raste të reja me koronavirus, që është numri më i ulët ditor që prej datës 14 Prill, dhe më pak se gjysma e majës prej mbi 414 mijë të raportuar më 7 maj. Numri total i rasteve në vend që prej nisjes së pandemisë qëndron në 26.95 milionë. Ekspertët shqetësohen se shumë infeksione të reja nuk po raportohen, për shkak të mungesës së testimeve në fshatra, ku virusi ka nisur të përhapet së fundmi. Vdekjet nga Covid arritën në 3,511 në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin që prej nisjes së pandemisë në 307,231, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Revista “The eEonomist”, vlerëson me modelin e vet se rreth 1 milionë njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Indi deri më tani, shumë sipër 590,240 që janë regjistruar në SHBA. Në dëshpërim, shumë shtete indiane, madje edhe qytete si Mumbai, kanë nisur tendera botërorë apo kanë treguar interes nga firma si Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson për furnizime urgjente. Megjithatë, autoritetet indiane thonë se 3 firmat janë përgjigjur se janë në kontakt me qeverinë federale indiane dhe se nuk bëjnë ujdi me autoritete në nivel shtetëror.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.