Bie prodhimi i naftës dhe gazit në Rusi – Pas vendosjes së sanksioneve, India bëhet klienti kryesor i Moskës!
Prodhimi i naftës dhe gazit të kondensuar në Rusi ra në 11.01 milionë fuçi në ditë gjatë marsit, nga 11.08 milionë fuçi që ishte në shkurt. Në datën 31 mars, prodhimi rezultoi në 10.6 milionë fuçi në ditë, që është niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2021. Rënia e prodhimit të naftës në Rusi vjen së bashku me ndërprerjet e eksporteve drejt konsumatorëve europianë, për shkak të sanksioneve të vendosura nga ndërkombëtarët, si pasojë e pushtimit të Ukrainës.
Gjithashtu, rënia e prodhimit në Rusi vjen ndërkohë që në marrëvëshjen me OPEC+, vendi duhej të rriste prodhimin nga muaji në muaj. Dërgesat e naftës nga portet e Detit Balltik ranë me 5% krahasuar me planin për muajin mars, për shkak të anulimit të ngarkesave nga klientët.
Rënia e shfrytëzimit të rafinerive në Rusi do të çojë në më shumë volume të naftës të vendosur për eksport, por fillimisht kompanitë ruse duhet të gjejnë blerës alternativë. India është radhitur si një ndër blerësit kryesorë të naftës ruse, pas vendosjes së sanksioneve nga vendet perëndimore, si pasojë e pushtimit të Ukrainës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.