Bien ankesat te “Rruga Dixhitale” – Aplikacioni i projektit të BB, në 4 muaj vetëm 25 raportime
Rreth 8 muaj pas prezantimit të aplikacionit “Rruga Dixhitale”, ku qytetarët mund të denoncojnë problematikat e tyre në lidhje me sinjalistikën, shpronësimet apo mirëmbajtjen në rrugë janë regjistruar 295 ankesa, të cilat janë marrë në administrimin nga përfaqësuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Por, ajo që bie në sy është fakti se në 4 muajt e fundit numri i ankesave të depozituara është tejet i ulët, në raport me 4 muajt e parë të lançimit të aplikacioni, duke qenë se për këtë periudhë janë depozituar vetëm 25 ankesa. Ndërkohë që pjesa tjetër e mbetur prej 270 ankesash I takojnë 4 muajve të parë të nisjes së funksionimit. Sa i takon ndarjes së ankesave sipas kategorive, numrin më të lartë të ankesave e ka kategoria e problematikave në rrugë, me 228 të tilla, të cilat kanë marrë të gjitha zgjidhje.
Ndërkohë që, numri më i ulët i takon kategorisë së shpronësimeve, me 17 ankesa, ku sipas raportit gjithashtu janë zgjidhur që të gjitha. Pjesa tjetër I takon kategorive që lidhen me sugjerimet apo me marrjen e informacionit. Aplikacioni “Rruga Dixhitale” është pjesë e projektit për mirëmbajtjen e rrugëve me Bankën Botërore, ndërkohë që ai mund të shkarkohet në aparatet smart phone si dhe mund të aksesohet edhe në versionin website.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.