Bien çmimet e prodhimit – Në territor negativ për dy tremujorë radhazi
Indeksi i çmimeve të prodhimit ra sërish në tremujorin e dytë të këtij viti, duke qëndruar për të dytin tremujor radhazi në territor negativ. Sipas Instat, çmimet e prodhimit ranë me 0.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Çmimet e prodhimit i janë kthyer rënies pas tre vjetësh, të shtyra sidomos nga mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit me euron. Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të tregtimit ose e thënë ndryshe çmimin me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit. Indeksi i çmimeve të prodhimit është një tregues i rëndësishëm orientues për inflacionin dhe rënia e çmimeve të prodhimit është në linjë edhe me uljen e ndjeshme të inflacionit në gjysmën e parë të vitit.
Banka e Shqipërisë e ka shpjeguar këtë dobësim drastik të rritjes çmimeve kryesisht me efektin e kursit të këmbimit. Mbiçmimi i lekut ndaj euros duket të ketë ulur kostot e industrisë përpunuese dhe, rrjedhimisht, edhe çmimet e prodhimit.
Pikërisht industria përpunuese dha efektin kryesor, me një rënie të çmimeve me 1.1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018. Në segmentin që prek më shumë konsumatorët, atë të industrisë ushqimore, rënia e indeksit të çmimeve të prodhimit ishte edhe më e fortë, me 1.3%. Ndërkohë, edhe në industrinë nxjerrëse indeksi i çmimeve të prodhimit ra me 0.4%, ndërkohë që vitin e kaluar kishte shfaqur një tendencë të fortë në rritje.
Banka e Shqipërisë parashikon që efekti i lekut të fortë te çmimet në tregun vendas do të zbehet gradualisht në gjysmën e dytë të këtij viti. Megjithatë, rritja shumë e dobët e çmimeve i ka lëkundur disi parashikimet e Bankës së Shqipërisë, aq sa pas mbledhjes së fundit Këshilli Mbikëqyrës paralajmëroi se mund të ketë një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.