Bien importet e celularëve në Shqipëri – Tregu dominohet nga Kina dhe Azia Juglindore
Shqipëria gjatë vitit të kaluar importoi rreth 40 milionë euro në vlerë aparatesh celularë, në rënie me mbi 3 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Kjo përkon me rëniet e shitjeve për këto mallra në të gjithë botën, por edhe me tendencën e shqiptarëve për të zgjedhur modele më pak të kushtueshme apo të përdorura.
Trendi i rënies së importeve shfaqet edhe gjatë pjesës së parë të këtij viti, ku parashikohet se blerjet në total nuk do t’i tejkalojnë 38 milionë eurot.
Sa i takon vendeve nga të cilat vijnë celularët që hyjnë në tregun vendas, kryeson bindshëm Kina me mbi 20 milionë euro importe, ndjekur nga Vietnami dhe Korea e Jugut me 8.8 dhe 1.2 milionë euro importe. Këto vende janë pikërisht edhe ato ku fabrikohen pjesa më e madhe e aparatëve celularë në të gjithë botën. Kina është “atdheu” i një sërë markash më të lira si “Xiaomi”, “Huawei”, “OnePlus”, por edhe vendi ku prodhohen modelet “iPhone”.
Ndërkohë, në Kore dhe në Vietnam prodhohen modelet e “Samsung”, të cilat së bashku me “Apple” dominojnë tregun edhe në Shqipëri.
Pas këtyre shteteve, ndjekin Italia dhe Shtetet e Bashkuara me afërsisht 1.1 milionë euro mallra të importuara nga secila. Gjatë 2018-ës është vëne re një rritje e importeve nga SHBA, çka përkon me disa modele telefonash të përdorur apo produkte vitrine.
Në mënyrë surprizuese, Shqipëria edhe pse nuk prodhon telefona, eksporton të tillë, edhe pse në vlera në rënie nga viti në vit. Për vitin 2017, eksportet e aparateve celularë arritën në 1.7 milionë euro, nga të cilat mbi 1 milionë euro në drejtim të Holandës. Destinacione të tjera për eksportet nga Shqipëria janë edhe Hong Kongu, Kosova dhe Italia.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.