Bilanci i 2018-ës – Rritja ekonomike dhe papunësia mbi projeksionet, edhe çmimet rriten më pak
Tashmë që 2018 është drejt fundit, shifrat, të paktën ato që janë edhe shtyllat kryesore makroekonomike, flasin për një bilanc pozitiv, por edhe përtej projeksioneve të fillimit të këtij viti. Norma e papunësisë, vlerësohet të ketë zbritur në 12.2% gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Ky është niveli më i ulët që prej rënies së regjimit komunist. Projeksionet e fillim vitit ndërkohë, flisnin për një normë papunësie në 13.7%. Pra, mesa duket, ekonomia shqiptare e ka tejkaluar bindshëm projeksionin e papunësisë.
Sa i përket rritjes ekonomike, ndërkohë, shifrat më të fundit, ato të gjashtëmujorit të parë flasin për 4.32% rritje. Të gjithë indikatorët e tjerë sinjalizojnë gjithashtu një rritje pranë 4% këtë vit. Kjo shifër është bindshëm mbi ato të fillim vitit.
Banka Botërore, Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndërkohë flisnin për 3.6% rritje ekonomike gjatë 2018-ës e deri në 3.8% në rastin e Komisionit Europian. Edhe për rritjen ekonomike, realiteti duket se i ka tejkaluar ndjeshëm projeksionet. Një ndër elementët më të rëndësishëm të ekonomisë së një vendi është edhe inflacioni.
Aktualisht, të dhënat më të fundit flasin për një normë pranë 1.8% gjatë nëntorit, nga 3% që është objektivi I Bankës Qendrore. Projeksionet e fillim vitit ndërkohë flisnin për një normë pranë 2.4% këtë vit.
Gjithsesi, inflacioni është një indikator i luhatshëm, gjë që e bën objektivin të realizueshëm deri ën fund të vitit. Në të tre indikatorët janë marrë si bazë krahasuese projeksion et e Komisionit Europian të publikuara më 18 janar ët këtij viti.
Në dy të parat, atë të papunësisë dhe rritjes ekonomike, rezultatet duken të jenë më të mira se projeksionet paraprake. Në indikatorin e tretë, atë të rritjes së çmimeve, projeksionet duket se po dështojnë, pasi norma e inflacionit rezulton të jetë për momentin bindshëm më e ulët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.