Bilanci i aksidenteve – 27 viktima gjatë muajit gusht
Aksidentet rrugore shkaktuan 27 viktima gjatë muajit gusht. Sipas Institutit të Statistikave, në pikun e sezonit veror numri i viktimave rezultoi më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci i aksidenteve ngelet i rëndë edhe për këtë vit, 143 viktima në tetë muaj, shifër kjo shumë afër të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Dëmet më të rënda, ato në njerëz ngelen të mëdha, megjithëse numri i aksidenteve këtë vit është ulur me rreth 13% krahasuar me një vit më parë. Këtë vit në Shqipëri kanë ndodhur rreth 1150 aksidente, në të cilat janë dëmtuar afro 1550 njerëz. Statistikat tregojnë se në Shqipëri ndodhin afërsisht pesë aksidente çdo ditë dhe pothuajse në të gjitha rastet përgjegjësitë janë njerëzore, kryesisht të drejtuesve të mjeteve.
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në shtatë muaj kompanitë e sigurimeve kanë paguar 1.55 miliardë lekë dëme nga sigurimi i brendshëm motorik dhe nga sigurimi vullnetar kasko. Krahasuar me një vit më parë, dëmet e paguara për aksidentet janë rritur me 17%. Klasat e sigurimit motorik sjellin më shumë se 60% të dëmeve totale për industrinë e sigurimeve në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.