Bilanci i Bankës së Japonisë – Shënon $4.48 trilionë prej stimujve monetarë, arrin nivelin e FED
Bilanci i Bankës së Japonisë ka shënuar një vlerë prej 4.48 trilionë dollarë, thuajse e njëjta përmasë me atë të Rezervës Federale, duke pësuar një trefishim që kur nisi programi i stimujve në 2013-ën.
Megjithatë, pavarësisht përmasës së printimit të parasë, Banka e Japonisë nuk ka bërë ende përparim në arritjen e objektivit të inflacionit në 2%, duke vënë në dukje vështirësitë që përballet institucioni ndërkohë që ritmi i blerjes së titujve të borxhit po bëhet i paqëndrueshëm.
Blianci i fryrë mund të komplikojë heqjen e mëvonshme të stimujve, për shkak të një rritjeje të mundshme të yieldeve me nisjen e ciklit tkurrës monetar.
Të dhënat nga Banka e Japonisë treguan se aktivet totale u rritën në 4.46 trilionë dollarë (500.8 trilionë jen), krahasuar me $3.83 trilionë që ishin një vit më parë. Kur Guvernatori nisi programin e stimujve në Mars 2013, aktivet qëndronin në $1.4 trilionë.
Bilanci i Bankës së Japonisë thuajse arrin atë të Rezervës Federale prej 4.51 trilionë dollarë dhe është më shumë se 90% e Produktit të Brendshëm Bruto të Japonisë, deri më tani norma më e lartë ndër 4 bankat qendrore më të mëdha në botë.
Pavarësisht mbështetjes me stimuj që kanë zgjatur prej vitesh, inflacioni rezulton në 0.3%, dhe pritet të qëndrojë poshtë 2%-shit në të ardhmen e afërt.
Rimëkëmbja e ngadaltë e ekonomisë ka ardhur falë eksporteve, ndërkohë që shpenzimet konsumatore qëndrojnë të dobëta.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.