Bilanci i energjisë për 2020-ën – Prodhimi u dominua nga HEC-et publike, u paguan 2.6% më pak fatura
Rreth 5.3 milion mwh energji u prodhuan gjatë vitit 2020, teksa hidrocentralet e Kaskadës së Drinit dominuan prodhimin me 58.5% të sasisë totale. Të dhënat ndryshojnë në raport me 6-mujorin e parë të vitit, ku prodhimi u realizua në masën 52% nga HEC-et private dhe koncesionare, por gjatë mujave në vijim Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ka rritur prodhimin, duke ndryshuar raportet.
Sipas të dhënave të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë, hidrocentarelet publike prodhuan rreth 2.2 mln mwh energji, ndërkohë që gjatë muajit mars të këtij viti nisi prodhimin dhe hidrocentrali i Moglicës, duke gjeneruar për periudhën 10-mujore 160 mijë mwh energji apo 3% të totalit. Paralelisht ka vijuar edhe prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike.
Në total këto impiante prodhuan 32,265 mwh energji, duke treguar se diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është ende larg, përsa kohë 2 projektet për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Spitallë nuk kanë nisur ende. Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 12-mujorin arriti në 21.48%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 21.79%. Niveli i arkëtimeve ra me 2.6% gjatë vitit që lamë pas, në raport me vitin 2019, duke u regjistruar në 95.8%, nga 98.4% që ishte një vit më parë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.