Bilanci i energjisë për 6-mujorin – 55% më shumë energji e prodhuar se vjet, bien humbjet në rrjetin e shpërndarjes
Rreth 6 mln mwh energji u prodhuan gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti nga të gjithë burimet gjeneruese në vend, duke shënuar një rritje të konsiderueshme me 55% në raport me një vit më parë, ku për të njëjtën periudhë u gjenerua 2.7 mln mwh energji. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhimi u dominua nga hidorecentralet publike të Kaskadës së Drinit me 57.3% të energjisë totale, ndryshe nga vitit u kaluar ku për të njëjtën periudhë energjia më e madhe u prodhua nga HEC-et private dhe koncesionare.
HEC Moglica, që nisi prodhimin vitin që kaloi, për periudhën janar-qershor 2021 ka kontribuar në prodhimin e 4.6% të energjisë totale. Paralelisht ka vijuar edhe prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike. Në total këto impiante prodhuan 21 107 Mwh energji, duke shënuar rrtije në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku prej këtyre impianteve u prodhua 15,882 mwh energji. Ndërkaq, konsumi total i energjisë për 6-mujorin arriti në rreth 4.26 mln mwh energji, duke shënuar rritje në raport me një vit më parë, ku u konsumua 3.76 mln mwh energji.
Kjo diferencë e madhe në konsum mund të shpjegohet me mbylljen e bizneseve gjatë vitit të kaluar, të cilët pezulluan aktivitetin për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 6-mujorin u regjistrua në 22.3%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 22.84%. Edhe niveli i arkëtimeve ka një tendencë në rritje gjatë 6-mujorit, duke u fiksuar në 96.1%, çka shënon edhe një rritje në raport me periudhën janar-qershor të vitit të kaluar, ku niveli i arkëtimeve ishte në 94.3% e totalit të faturave të gjeneruara nga OSHEE.
GRAFIK
Prodhimi i energjisë elektrike
6-mujori 2020 2.7 mln Mwh
6-mujori 2021 6 mln Mwh
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.