Bilanci i energjisë për 8-mujorin – Prodhimi u dominua nga HEC-et publike, bien humbjet në rrjetin e shpërndarjes
Rreth 3.7 milion mwh energji u prodhuan gjatë 8-mujorit të parë të këtij viti, teksa hidrocentralet e Kaskadës së Drinit dominuan prodhimin me 56.2% të sasisë totale. Të dhënat ndryshojnë nga ato të 6-mujorit, ku prodhimi u realizuar në masën 52% nga hec-et private dhe koncesionare, por gjatë korrikut dhe gushtit Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ka rritur prodhimin, duke ndryshuar raportet.
Sipas të dhënave të raportuara nga Enti Rregullator i Energjisë, hidrocentralet publike prodhuan rreth 2 mln mwh energji, ndërkohë që gjatë muajit mars të këtij viti nisi prodhimin dhe hidrocentrali i Moglicës, duke gjeneruar për periudhën 6-mujore 78 mijë mwh energji apo 2.1% të totalit. Paralelisht ka vijuar edhe prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike.
Në total këto impiante prodhuan 23,471 mwh energji, duke treguar se diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është ende larg, për sa kohë 2 projektet për ndërtimin e parqeve fotovoltaike në Karavasta dhe Akërni nuk kanë nisur ende. Ndërkaq, niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 8-mujorin arriti në 21.48%, duke shënuar një përmirësim në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 22.82%.
Niveli i arkëtimeve ka një tendencë në rënie gjatë muajit korrik dhe gusht, në raport me muajin maj-qershor, ku u shënua një rritje e ndjeshme e pagimit të faturave të energjisë elektrike për shkak të rikuperimit të faturave të muajve të karantinës. Për 8-mujorin, niveli I arkëtimeve arriti në 95.4% e totalit të faturave të gjeneruara nga OSHEE.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.