Bilanci i koncesionarëve për 2017-ën – Në rritje “TIA”, “SGS” e “GFI”, bien “sterilizimi” e “pasaportat”
Sipas të dhënave më të fundit që vetë kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se, 3 ndër 5 koncesionet më fitimprurëse në vendin tonë kanë rritur ndjeshëm fitimet e tyre përgjatë 2017-ës.
Nga ana tjetër, një prej kompanive, raporton përgjysmim të fitimeve, dhe ajo është “saniservice”, që ka koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Fitimet e “Saniservice” kanë zbritur kështu nga 160 milionë lekë në 2016-ën, në vetëm 72 milionë lekë gjatë 2017-ës, pra një rënie me 55%, më shumë se përgjysmim. Kjo ka bërë që “Saniservice” të zbresë në vendin e 5-të sa i përket koncesioneve më fitimprurëse, nga vendi i 3-të i vitit paraardhës.
Rënie të konsiderueshme ka pësuar edhe “Aleat”, kompania që prodhon pasaportat dhe kartat e identitetit, fitimet e së cilës kanë rënë nga 943 milionë lekë, në vetëm 542 milionë lekë, por pa i rrezikuar vendin e dytë në listën e koncesioneve më fitimprurëse.
Kompania më e madhe koncesionare në vend ndërkohë, “Tirana International Airport”, ka rritur fitimet nga 1.8 miliardë lekë, në 2.3 miliardë lekë, ose rreth 18 milionë euro fitim në vit. Rritja fiksohet në 27%.
Për koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve, “SGS”, fitimet neto gjatë 2017—ës fiksohen në 160 milionë lekë, nga 145 milionë lekë që ishin në 2016-ën. Me një rritje në 10%. Ky koncesion do të skadojë më 3 shtator të vitit të ardhshëm.
Kompania tjetër koncesionare, GFI Albania, që markon karburantet, ka parë fitimet neto të rriten në 133 milionë lekë, nga 114 milionë të vitit paraardhës, në rritje me 16%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.