Bild sulmon shefen e BQE, Lagarde: “Zonja Inflacion po gërryen kursimet dhe të ardhurat e njerëzve”
Gazeta më e shitur në Gjermani, Bild, ka kritikuar ashpër presidenten e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, duke e akuzuar atë se po gërryen të ardhurat dhe kursimet e njerëzve të zakonshëm, duke toleruar rritjen e inflacionit. Artikulli, që rikujton sulmin e Bild ndaj paraardhësit të Lagarde, Mario Draghi në vitin 2019, sinjalizon një tjetër armiqësinë ndaj bankës nga publiku gjerman, që ka qenë skeptik prej kohësh ndaj politikave monetare të institucionit.
Dy ditë më parë, banka qendrore në Frankfurt, la politikat monetare të pandryshuara, pavarësisht se rritja eçmimeve të konsumit shënoi nivelin më të lartë në 13 vite. E përditshmja e quante Lagarde “Zonja inflacion” dhe e akuzonte si një person që fiton shumë, pëlqen të mbajë veshje luksoze dhe që nuk i bëhet vonë për vështirësitë e njerëzve të zakonshëm. “Christine Lagarde po shkrin pensionet, pagat dhe kursimet”- shkruante Bild.
Ndërsa pyetej mbi artikullin, një zëdhënës i BQE theksoi se në konferencën e javës së kaluar, Lagarde kishte pranuar ndaj publikut se inflacioni është shkak për shqetësim dhe se tha që politikëbërësit kanë bërë shumë hulumtime përpara se të vlerësonin se çmimet do zbuten përsëri në vitin e ardhshëm. Në një intervistë me revistën gjermane Spiegel në javën e kaluar, Lagarde tha se i kupton problemet e gjermanëve të zakonshëm, duke theksuar se ka parë vetë rritje të çmimeve në dyqanet ushqimore.
“Unë i bëj pazaret vetë dhe i kushtoj rëndësi zhvillimit të çmimeve. Shoh që disa produkte të përditshme si kosi, buka apo gjalpi, janë bërë shumë të shtrenjta”- tha Lagarde. Sulmi i Bild vjen një javë pasi shefi i bankës qendrore të Gjermanisë, Jens Wiedmann, një kritik i vjetër i politikave të BQE, dha dorëheqjen, duke argumentuar se 10 vite tek posti i tij ishin mjaftueshëm, pasi paralajmëroi dhe për rreziqet e inflacionit. Inflacioni në Eurozonë shënoi 4.1% për Tetorin,i barabartë me nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, ndërkohë që inflacioni në Gjermani është edhe më i lartë, dhe me shumë gjasa pritet të arrijë në 5% deri në fund të vitit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.