Biletat e falsifikuara të autobusëve : Evazioni rreth 1 milionë euro, shmangeshin pagesa e shtypshkronjës dhe taksat!
Afërsisht 1 milionë euro është evazioni fiskal i kryer përmes falsifikimit të biletave të autobusëve të transportit publik, nga grupi prej tetë personash i arrestuar dy ditë më parë. Burime pranë organeve hetimore kanë dhënë detaje mbi skemën e evazionit e cila solli arrestimin e katër pronarëve të shoqërive të transportit publik. Sipas tyre, skena është vënë në zbatim që prej një viti duke u siguruar personave të arrestuar përfitime të konsiderueshme. Fitimet siguroheshin që nga shmagia e shtypshkronjës së letrave me vlerë, së cilës i paguhet 8.4 lekë për çdo biletë, te shmangia e TVSH-së, ashtu si dhe taksat e tjera.
Tetë personat u arrestuan në flagrancë pas dyshimeve se në bashkëpunim kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.
Këta shtetas përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare. Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë, afërsisht 50 mijë euro.
Lorenc Rabeta/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.