Biletat për fluturimet ajrore, më lirë – Hiqet tarifa e shërbimit 10 euro, përfitojnë 4 milionë pasagjerë!
Me qëllim rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë edhe të fluturimeve të qytetarëve shqiptarë kundrejt shteteve të tjera, qeveria ka vendosur që të aplikojë një plan ndihme i cili synon eliminimin e tarifës së shërbimit, për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë, në vlerën 10 euro, i cili aktualisht paguhet nga udhëtari në momentin e blerjes së biletës, te shoqëritë ajrore, pavarësisht vendit apo mënyrës së shitjes së biletës.
Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare është marrë nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore i cili në përbërje ka 5 anëtarë, me në krye ministren e Financave Delina Ibrahimaj. Përfitues të këtij vendimi janë konsumatorët/pasagjerët e transportit ajror. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, nga skema pritet të përfitojnë rreth 4 milionë pasagjerë në vitin 2022, për të cilët do të zbatohet përjashtimi nga tarifa e shërbimi.
Ndihma shtetërore është në formën e eliminimit të detyrimit nga ana e shoqërive ajrore të përgjegjësisë që të arkëtojnë nëpërmjet shitjes së biletës tarifën e kalimit me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë dhe të transferimit të shumave të arkëtuara tek TIA.
Sipas vendimit, eliminimi i tarifës favorizon dhe lehtëson funksionimin e shërbimeve ajrore midis Shqipërisë dhe vendeve të huaja, duke gjeneruar një kërkesë shtesë për bileta të fluturimit me avion dhe në mënyrë indirekte do të përfitojnë të gjitha kompanitë që ofrojnë shërbime të transportit ajror në tregun vendës.
Vendimi citon se kërkesa në rritje për numrin e fluturimeve do të ndikojë në tregtinë ndërkombëtare, pra masa ka efekt të kufizuar në konkurrencë, duke qenë se favorizon kompanitë që ofrojnë shërbime të transportit ajror drejt dhe nga Shqipëria. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar rezulton se vetëm në vendin tonë aplikohet tarifa e shërbimit për kalimin me avion të kufirit, në raport me vendet e rajonit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.