“Bird Island”- Një ishull privat vetëm për ju
Çfarë është më mirë se largimi për në një vend tropikal? Disa pushime në ishullin tuaj privat, natyrisht.
Por nëse nuk jeni Richard Branson apo Johnny Depp, blerja e tokës suaj private ndoshta nuk do të ishte e mundur por për fat të mirë tashmë mund të merrni me qira një ishull të tërë përmes Airbnb, dhe pjesa më e bukur për të gjithë këtë është se ju do të harxhoni vetëm 595 $ për një natë.
“Bird Island” është vendosur në brigjet e fshatit Placencia në Belize.
“Është një mjedis i përsosur për të kaluar pushime romantike në çift, një mbledhje familjare apo qoftë edhe bashkimi i një grupi të vogël shokësh, shprehet Fred, pronari i këtij ishulli për Airbnb.
Ishulli mund të mirëpresë deri në gjashtë mysafirë dhe ideja e tij kryesore është një aventurë me vetë shërbim, tip i aventurave të Robinson Crusoe.
Megjithatë në bazë të renditjes ky ishull i përfshin të gjitha komoditetet dhe ju mund të bëni gjithçka që dëshironi në privatësinë tuaj.
Transporti për në këtë ishull mahnitës koralor nga Belize është i përfshirë në çmim. Ju do të kaloni pushime si në ëndrra dhe do të gjendeni të rrethuar vetëm nga uji i pastër blu, koralet dhe njerëzit tuaj të zemrës.
Tre ndërtesa kryesore e zënë komplet hapësirën. Një shtëpi kryesore dhe dy kabina. Megjithatë shtëpia kryesore është e vetmja që është e pajisur me tualet në këto momente por një nga kabinat do të pajiset me mjetet e nevojshme në shtator të 2017 dhe kabina tjetër në vitin 2018.
Meqënëse ishulli është tërësisht privat mysafirët sjellin me vete ushqimet dhe alkoolin apo gjithçka tjetër që dëshirojnë të konsumojnë.
Në ishull ka mjaft aktivitete që mund të zhvilloni dhe të gjitha pajisjet për to janë të siguruara nga pronari i qirasë.
Fred thotë se gjatësia ideale e pushimeve për ishullin është katër ditë, por qëndrimi mund të zgjatet deri në gjashtë.
“Shpenzimi i kohës në “Bird Island”, qoftë edhe për një ditë të vetme do t’ju bëjë të ndiheni sikur keni bërë diçka të veçantë”, shprehet Fred.
V.Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.