Bisedimet Kinë-SHBA – Mnuchin kërkon uljen e defiçitit tregtar me $200mld deri në 2020-ën
Takimi 2-ditorë i ekipit ekonomik të Donald Trump në Kinë ka përfunduar, me marrëveshje për të vazhduar me bisedimet. Sipas mediave kineze, të dyja palët kanë arritur në dakordësi mbi shumë çështje të lidhura me tregtinë, megjithatë, pa dhënë shumë detaje. Delegacioni amerikan, i drejtuar nga sekretari i thesarit Steven Mnuchin, i kërkoi Kinës që të ulë deficitin tregtar me të paktën 200 miliardë dollarë deri në fund të 2020-ës nga viti aktual.
Më herët gjatë takimit, Mnuchin tha se komunikimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ka qenë pozitiv. Takimi me dyer të mbyllura mes ekipit ekonomik të presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve në Pekin nisi të Enjten dhe mediat kineze ishin të ndaluara për të raportuar materialet përpara publikimit zyrtar.
Diskutimet ishin fokusuar kryesisht në shqetësimet e lidhura me ekonominë e kontrolluar nga shteti në Kinë, transferimin e detyruar të teknologjisë të firmave që marrin pjesë në tregun kinez dhe rritjen e deficitit tregtar të Amerikës më Kinën. Në të njëjtën ditë, departamenti i tregtisë në SHBA bëri të ditur se deficiti tregtar me kinën është rritur me 16% në më shumë se 91 miliardë dollarë në tremujorin e parë të këtij viti.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.