Bizneset debitore në 2017 – Mbi 18 mijë subjekte nuk paguajnë detyrimet
Zbatimi i ligjit të faljes së detyrimeve fiskale gjatë vitit të kaluar “pastron listën e zezë të tatimeve”. Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore, gjatë vitit të kaluar ka ardhur në rënie.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë se numri i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet gjatë 2017, ku në dhjetor është dhe përditësimi i fundit nga kjo administratë, janë ulur me numër të konsiderueshëm biznesesh.
Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore ne mesin e dhjetorit ishte 18 145 nga 19 834 biznese që ishin në fund të vitit 2016.
Referuar këtyre statistikave, kësaj “liste të zezë” vetëm gjatë 2017 i janë hequr 1689 subjekte. Evidentimi i tatimpaguesve të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik.
Sipas argumentimit të Tatimeve, në uljen e këtij numri ka ndikuar ndryshimi i sjelljes së kësaj administrate me sipërmarrjen dhe krijimi i lehtësive me anë të marrëveshjeve të posaçme për pagesat e detyrimeve me këste.
Por të njëjtat burime bëjnë me dije se brenda 6 mujorit të dytë, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit të faljes, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve “borxhlie” u fshinë nga sistemi informatik i tatimeve.
Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.