Bizneset e Ish-Bllokut gjobiten për duhanin/Inspektorati vendos 11 masa administrative, vlera totale 3.9 mln lekë
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka vendosur 11 masa asdministrative ndaj subjekteve të gjetura në shkelje të ligjit antiduhan.
Gjobat janë vendosur në harkun kohor të një mbrëmjeje, ku dega rajonale e Tiranës të inspektoratit kreu inspektime në orët e vona të fund javës në zonën e ish-Bllokut dhe në zona të tjera të qytetit.
Sa i takon vlerës së gjobave, u vendosën 2 masa nga 600 000 lekë ndaj subjekteve përsëritës të shkeljes, si dhe 9 masa nga 300 000 lekë për subjekte që shkelin ligjin për herë të parë. Kjo do të thotë se në total vlera e gjobve të vendosura arritn në 3.9 mln lekë.
Prej muajit gusht të vitit të kaluar ka hyrë në fuqi ligji i ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i cili parashikon forcimin e një sërë masash për duhanpirësit dhe subjektet.
Referuar ndryshimeve, tashmë ndalohet përdorimi i cigares elektronike, duhanit me ngrohje apo shishe/nargjile, në ambiente të mbyllura duke aplikuar për të, të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes.
Gjithahstu, me ndryshimet fundit që pësoi ligji u rritën masat penalizuese ndaj subjkteve që gjenden në shkelje të ligjit.
Kështu, gjoba për të gjithë subjektet që shkelin ligjin për pirjen e duhanit në ambientet e brendshme, është 300 mije lekë, por nëse ata do të kapen në shkelje të përsëritur brenda një periudhe 3-mujore, masa administrative 2-fishohet, duke arritur arrin në 600 mijë lekë.
Ndërkohë që, nëse subjekti i tatueshëm i penalizuar për herë të dytë gjendet përsëri në shkelje, brenda një afati kohor 1-vjeçar atëherë ndaj tij vendoset gjobë në vlerën e 300 mijë lekëve dhe pezullim të aktivitetit deri në shlyerjen e masave të gjobës”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.