Bizneset e mëdha me pasqyra financiare publike – Në Kuvend projektligji për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare
Qeveria ka dorëzuar në Kuvend një projektligj mbi kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, i cili prek të gjitha bizneset pavarësisht madhësisë, si dhe njësitë ekonomike jofitimprurëse dhe njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Projektligji në tërësi synon të krijojë një standard të detyrueshëm për raportimin e të ardhurave, veprimeve dhe çdo transaksioni që kryejnë bizneset dhe njësitë e sipërpërmendura.
Në këtë standard përfshihen edhe dispozita të veçanta për arkivimin e dokumentave kontabël dhe pasqyrave financiare, të cilat duhet të ruhen për 10 vjet rresht në selinë ku zhvillohet aktiviteti ekonomik.
Një tjetër risi që sjell ky projektligj është edhe publikimi i pasqyrave financiare. Në rast të miratimit në Kuvend, bizneset e mesme, të mëdha dhe ato me interes publik duhet të publikojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë/raportin e konsoliduar të ecurisë së veprimtarisë, raportin e auditimit, edhe në faqet e tyre zyrtare të internetit dhe brenda 7 muajsh nga data e raportimit.
I njëjti obligim vlen edhe për njësitë ekonomike jofitimprurëse, të cilat duhet të përgatisin një raport të performancës mbi veprimtarinë e tyre për t’u publikuar bashkë me pasqyrat financiare.
Për bizneset e mëdha me interes publik dhe që tejkalojnë numrin e 500 të punësuarve, e detyrueshme do të jetë edhe përgatitja e një raporti jofinanciar, mbi ndikimin e aktivitetit të tyre në mjedis, çështjet sociale dhe të punësimit, respektimit të të drejtave të njeriut, antikorrupsionin dhe çështjet e rryshfetit.
Funksionimi dhe zbatimi i rregullave të reja do të jetë gjithashtu përgjegjësi e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, si një organizëm profesional publik i pavarur me personalitet juridik. KKK do të përbëhet nga 7 anëtarë, ku 3 propozohen nga Ministria e Financave, 1 nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, 1 nga organizata profesionale e auditimit ligjor, 1 nga shoqatat profesionale të kontabilitetit dhe 1 nga dhomat e tregtisë ose nga shoqata e bankave.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.