Bizneset ia “hedhin” qeverisë – 36.4% e punëmarrësve nuk deklarojnë pagat reale
Shumë subjekte vijojnë të derdhin për punonjësit e tyre kontribute shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën minimale, pavarësisht se i paguajnë më shumë, duke shkelur hapur lignin. Inspektoriati Shtetërori Punës evidenton se edhe pse në ulje me 1% gjatë 2017-ës, në krahasim me një vit më parë, sfidë e procesit të inspektimit ngelet zbulueshmëria e informalitet gri, ku punëmarrësit sigurohen nëpërmjet derdhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore mbi pagë minimale e jo mbi atë reale.
Kështu, sipas të dhënave zyrtare nga ky institucion, gjatë inspektimeve realizuar këtë vit është gjetur se janë 36.4% e punëmarrësve që sigurohen me pagë minimale. Inspektoriati bën me dije se puna inspektuese, metodologjia e re inspektuese, apo praktikat e mira të punës nuk kanë qenë prezente në çdo inspektim, inspektor pune, apo Degë Rajonale.
Nga të dhënat e inspektimeve, ky institucion arrin në konkluzioni se zbulueshmëria, apo efiçenca e një inspektimi pune, nuk ka funksionuar njëlloj në të gjitha Degët Rajonale. Kështu Degët Gjirokastër, Fier, Lezhë kanë pasur perfomancën më të dobët, ndërsa Dibër, Vlorë dhe Durrës kanë pasur perfomancën më të mirë. Gjatë vitit 2017 janë realizuar gjithsej 7958 inspektime në subjekte private dhe shtetërore.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.