Bizneset pa furnizues energjie. Aktualisht “mbulohen” nga OSHEE, ERE harton rregullore të re për të liberalizuarit
Teksa bizneset e lidhur në tensionin 35 KV kanë të drejtë të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të energjisë, Enti Rregullator i Energjisë ka nisur proceduarat për miratimin e një rregulloreje që do të përcaktojë kriteret e vlerësimit dhe përzgjedhjes së furnizuesit të mundësisë së fundit. Bëhet fjalë për ato raste kur bizneset e liberalizuar nuk arrijnë të sigurojnë furnizues në treg për shkak të pamundësisë objektive të operatorëve të sistemit, çka detyron furnizuesin e mundësisë së fundit të kryejë këtë shërbim.
Aktualisht këtë rol është duke e luajtur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ndërkohë që pas miratimit të rregullores së Entit Rregullator të Energjisë do të vendoset se cili prej të licencuarve në këtë treg do ta kryejë këtë funksion në të ardhmen. Sipas legjislacionit të fuqi, furnizuesi i mundësisë së fundit do të caktohet për një periudhë prej tre vjetësh, ndërkohë që vendimi për caktimin e tij përmban kushtet e shërbimit, informacion në lidhje me përcaktimin e çmimeve dhe ndryshimet e tij, si dhe kushtet kontraktore.
Gjithashtu, ligji përcakton se çmimi, me të cilin furnizuesi i mundësisë së fundit furnizon me energji elektrike, përcaktohet nga ERE, procedurë që ndodh edhe aktualisht. Ndërkaq, përcaktimi i këtij furnizuesi merr një rëndëis të veçantë në muajt në vijim, pasi përveç biznesevee të lidhur në teksionin 35 KV parashikohet dhe liberalizmi i atyre që janë të lidhur në tensionin 20 kv, ku përfshihen mbi 6000 biznese.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.