Bizneset paguan shtrenjtë energjinë – ERE ndryshoi metodologjinë e llogaritjes së çmimit, OSHEE ‘rriti” faturat
Ndryshimi i metodologjisë së përllogaritjes së çmimit të energjisë elektrike për bizneset që kanë dalë në treg të lirë, iu ka kushtuar shtrenjtë këtyre të fundit. Metodologjia u rishikua në muajin maj të vitit 2018, ndërkohë që prej aplikimit të ndryshimeve, çmimi me të cilin këto biznese janë faturuar ka qenë disa herë më i lartë.
TV SCAN ka përpunuar të dhënat zyrtare, sipas vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë ku për periudhën janar-korrik të vitit 2018, çmimi mesatar rezulton të jetë 10.32 lekë/kwh, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të këtij viti, bizneset e liberalizuar janë tarifuar me çmim mesatar prej 14.16 lekë/kwh apo 3.84 lekë/kwh më shumë. Duke mbajtuar parasysh, që këto biznese janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike, faturimi sipas metodologjisë së ndryshuar i ka siguruar të ardhura të larta Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që aktualisht luan rolin e furnizuesit të mundësisë së fundit.
Shtrenjtimi i energjisë për bizneset e tensionit 35 kv u bë edhe objekt debati gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Entit Rregullator të Energjisë në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ndërkohë që pas këtij të fundit kreu i ERE-s, Petrit Ahmeti njoftoi se metodologjia do të ndryshohej sërish.
Për këtë arsye, në datën 8 gusht 2019, Enti Rregullator ka miratuar ndryshimet, duke përcaktuar korrektimin e zbatimit të metodologjisë së përcaktimit të çmimit,për të gjithë faturimet e kryera në pik për gjatë të gjithë periudhës që OSHEE ka ushtruar funksionet si Furnizues i Mundësisë së Fundit për klientët e lidhur në 35 kV. Megjithatë, për të parë nëse ndryshimet do të gjenerojnë tarifa më të ulëta për këto biznese do të duhet të përcaktohet çmimi për muajin gusht.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.