Bizneset që po lulëzojnë – Konsulenca ndaj ndërmarrjeve, IT dhe agjencitë turistike, rritje deri në 44%
Gjatë vitit të kaluar, një sërë biznesesh në vendin tonë kanë njohur një lulëzim dhe pjesa dërrmuese e tyre janë në sektorin e shërbimeve. Aktiviteti që njeh rritjen më të madhe është ai i drejtimit të ndërmarrjeve dhe konsultimit. Në 2016, në vendin tonë numëroheshin vetëm 422 biznese të tilla, ndërkohë që në 2017-ën, ky numër u ngjit në 607, çka përkthehet n ë një rritje me 43.8% në total.
Një rritje tjetër të konsiderueshme njohin edhe bizneset që operojnë në fushën e shërbimeve të teknologjisë së informacionit. Në 2016, këto biznese ishin 1162, ndërsa në 2017-ën, u ngjitën në 1636, çka do të thotë se, rritja fiksohet në 40.7%. Ky lloj aktiviteti ecën me hapin e kohës dhe ofron një potencial ende të pazhvilluar në vendin tonë. Një tjetër kategori në rritje të ndjeshme është ajo e administrimit të zyrave, mbështetjes administrative dhe mbështetje ndaj ndërmarrjeve.
Në vitin 2016 kishte 1270 biznese që operonin në këtë sektor, ndërkohë që në 2017 numri u ngjit në 1574, pra në rritje me 24%. Në rritje të konsiderueshme regjistrohen edhe agjencitë turistike, pasi nga 984, numri i tyre është ngjitur në 1122, duke bërë që rritja të jetë në 14%, relativisht domethënëse në një sektor të tillë. Edhe sektorë të tjerë, si ai i punimeve arkitekturore dhe inxhinierike ka pësuar një rritje të ndjeshme, me rreth 8.9% në krahasim me vitin paraardhës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.