Biznesi i huaj ka 30% të tregut – Instat: Pesha u rrit ndjeshëm vitin e kaluar
Bizneset e huaja realizojnë afërsisht një të tretën e xhiros vjetore në ekonominë shqiptare. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, pesha e ndërmarrjeve me kapital të huaj ose të përbashkët po rritet. Shitjet neto të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, në vitin 2017, përbënin mbi 30% të shitjeve neto gjithsej të bizneseve në vend, nga 22% që ishte në vitin 2016. Në vitin 2017, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta punësonin 18.7 % të të punësuarve gjithsej në ekonominë vendase, nga 16 % që kishin punësuar në vitin 2016.
Gjithsej, numri i ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj vitin e kaluar arriti në rreth 6300, në rritje me afro 12% krahasuar me vitin 2016. Rreth 76% e ndërmarrjeve të huaja kanë përmasa të vogla, me më pak se katër individë të punësuar. Vetëm 329 ndërmarrje me kaptal të huaj deklarojnë më shumë se 50 të punësuar. Për sa i takon origjinës së kapitalit, struktura e ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare dominohet nga sipërmarrja italiane. Për vitin 2017, ndërmarrjet me pjesëmarrjen e aksionerëve italianë ishin 2887 ose 46% e totalit.
Italia ka një diferencë të thellë në raport me sipërmarrjet e vendeve të tjera, ku e dyta vjen Greqia me 8%, e më tej Kosova dhe Turqia me afërsisht 7%. Më gjerësisht, bizneset e huaja në Shqipëri në shumicë i takojnë vendeve të Bashkimit Europian, me 67% të numrit total të tyre.
Aktiviteti i bizneseve të huaja sipas sektorëve është i ngjashëm me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuara në sektorët e shërbimeve. Afro 74% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim kryesisht janë të angazhuara në industri dhe më pak në ndërtim apo bujqësi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.