Biznesi i mobilieve në kohërat e moratoriumit!
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që pret më shumë pemë se sa mbjell. Në fund të vitit 2010 (është viti i fundit për të cilin ka shifra zyrtare) në Shqipëri u prenë 5.5 herë më shumë sipërfaqe pyjore krahasuar me sipërfaqet që u mbollën. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që raportin e sipërfaqes së pyjeve të prera me atë të pyjeve të mbjella e ka më të lartë se 1, çka bën që sipërfaqja e pyllëzuar ndër vite të ulet. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave miratoi në vitin 2015 një memorandum 10-vjeçar mbi prerjen e pyjeve, përjashto ato që përdoren për ngrohje. Memorandumi u kthye në ligj dhe ky i fundit u miratua nga Kuvendi në shkurt të viti 2016. Por pavarësisht efekteve pozitive që pritet të ketë ai në shtimin e sipërfaqeve pyjore, ka vënë në vështirësi industrinë e përpunimit të drurit. Kjo industri ka pasur vështirësi në 3 vitet e para që hyri në fuqi memorandumi sa i përket sigurimit të lëndës së parë. Të gjendur përballë këtij fakti, biznesi i drejtoi sytë drejt importit për të siguruar lëndën e parë, e cila ndikoi më pas edhe në rritjen e çmimit të produkteve përfundimtare të drurit me 30%. Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Prodhuesve të Mobilierisë Shqiptare, Klajdi Bekteshi moratoriumi ka efekte pozitive për pyllëzimin, por ka ndikuar negativisht në punën e industrisë. “Kemi patuar vështirësi për 2 -3 vite për të siguruar lëndën e parë. Po i sigurojmë nga Mali i Zi, Bosnja, Bullgaria, Rumania e Ukraina. Kjo ndikon edhe në çmim pasi i marrim me çmimin e tregut ndërkombëtar që aplikojnë këto vende, kjo ka bërë që të rritet çmimi i produkteve përfundimtare në vendin tonë me 30%,” thotë për revistën “SCAN“, Bekteshi.
Megjithatë, po të shohim ecurinë e inflacionit për grupin “Mobilie, pajisje dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, gjatë dy viteve të fundit nuk rezulton ndonjë rritje domethënëse e çmimeve. Gjatë vitit 2017, inflacioni për këtë grup ka qenë në vlera negative, çka nënkupton rënie të çmimeve; ndërkohë, gjatë vitit 2016, është regjistruar një rritje modeste, mesatarisht poshtë nivelit 1%.
Instat: Tregu, 14 miliardë lekë
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në sektorin e përpunimit të drurit dhe prodhimit të mobilieve punojnë rreth 1400 ndërmarrje ekonomike, të cilat punësojnë rreth 7 mijë vetë. Mbështetur në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve, për vitin 2016, shitjet kishin vlerën e 14 miliardë lekëve. Krahasuar me vitin 2015, volumi i tregut është rritur me rreth 10%. Gjithnjë sipas rezultateve të anketës, fitimi i këtij sektori për vitin 2016 ishte 1.65 miliardë lekë, në rritje me 32% krahasuar me vitin 2015. Në terma të përfitueshmërisë, norma e fitimit neto për këto biznese rezulton rreth 11.8%. Përfitueshmëria e këtij aktiviteti është me e lartë në raport me normën mesatare të fitimit në ekonomi, që për vitin 2016 ishte rreth 8.8%.
Industria e përpunimit të drurit në Shqipëri, pavarësisht zvogëlimit të peshës së saj në ekonominë e vendit, në krahasim me periudhën përpara viteve 1990, vazhdon të jetë një degë e rëndësishme e ekonomisë. Aktualisht kjo industri mund të konsiderohet tërësisht private, ku dallohen dhjetëra subjekte të madhësisë së mesme dhe qindra të tjera të vogla apo shumë të vogla, të cilat kryesisht zhvillojnë aktivitetin e tyre në prodhimin e mobilieve. Sipas përfaqësuesve të këtij sektori, rreth 60 % e ndërmarrjeve që merren me përpunimin e drurit janë prodhuese ndërsa 40% janë ndërmarrje që e importojnë produktin përfundimtar nga jashtë dhe e tregtojnë atë në tregun vendas. Në këtë industri ka dhe një numër të konsiderueshëm të të punësuarve. Ndonëse Instat zyrtarisht raporton më pak se 7 mijë të punësuar, Shoqata e Prodhimit të Mobilierisë Shqiptare, pretendon se sektori ka 60 mijë të punësuar. “Por, duhet të dimë që ka edhe treg informal në këtë sektor, pra duhet të kemi më shumë të punësuar po që nuk janë të deklaruar. Pjesa më e madhe e tyre janë të punësuar në ndërmarrje të vogla familjare ose në zeje. Por që edhe këto shumë shpejt do të formalizohen, duke ndikuar në rritjen e të ardhurave edhe në buxhetin e shtetit,” shprehet Klajdi Bekteshi. Sektori i industrisë përpunuese të drurit ka ecur hapa para krahasuar me vitet ’90. Futja e makinerive dhe e pajisjeve të reja si dhe e teknologjive të reja ka bërë që prodhimet shqiptare të konkurrojnë denjësisht në tregun europian. Investimet private të kryera në këtë sektorë janë mbi 250 milionë euro. Një pjesë e këtij investimi është mbështetur nga Programi Italo -Shqiptar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve në Shqipëri, pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Në këto kushte, kompanitë që merren me përpunimin e drurit, përveç tregut të brendshëm, eksportojnë mbi 100 milionë euro në vit prodhime të tyre drejt vendeve europiane. “Aktualisht si rezultat i ndikimit të krizës, sidomos në vendin fqinj Greqi, niveli eksportit ka rënë në mundësi minimale. Shifrat e eksporteve për mobilierinë shkojnë mbi 100 milionë euro. Përfundimisht ashtu si shumë sektorë të ekonomisë edhe ne po përballemi me vështirësitë e mungesës së fuqisë blerëse. Por përsëri qëndrojmë në pozita më të forta se shumë sektorë të tjerë të ekonomisë. Fakt është që cilësia e mobilierisë të realizuar në Shqipëri konkurron denjësisht ato të ardhura nga importi, ”thotë për revistën “SCAN Klajdi Bekteshi. Po edhe pse në këtë industri është investuar dhe disponohen makineritë më të fundit, në vendin tonë nuk ka krah pune të kualifikuar. Referuar zhvillimit teknologjik janë të paktë personat që kanë marrë njohuritë jashtë vendit dhe vijnë që t’i aplikojnë ato në Shqipëri. “Kemi hapësira të mëdha për punësim dhe kemi kërkesa dhe për eksporte, por nuk kemi njerëz të kualifikuar sipas nevojës së tregut”, thotë Bekteshi.
Shqipëria importon lëndë të parë drusore
Referuar të dhënave zyrtarë të Doganave në tre vite e fundit në vendin tonë janë importuar sasi të konsiderueshme të lëndës së parë drusore. Kështu në 2015 sasia e importuar ishte 53 mijë tonë dhe është sasia më e ulët e importuar në tre vitet e fundit. Viti që ka dhe sasinë më të lartë të lëndës së parë të importuar është viti 2016, ku sipas ë dhënave janë importuar mbi 110 mijë tonë lëndë drusore. Ndërsa në vitin 2017 sasia e importuar ka pësuar një ulje të lehtë duke shkuar në 77 mijë tonë, lëndë drusore të importuar. Referuar të dhënave zyrtare tre janë shtetet kryesore prej të cilave Shqipëria importon dhe sasinë më të madhe të lëndës së parë drusore. Vendin e parë, me peshën më të madhe të importit të lëndës drusore në Shqipëri, e zë Bosnja me mbi 93 mijë tonë në tre vite e fundit. Më pas renditen Mali i Zi, Greqia dhe Suedia. Sipas përfaqësuesve të industrisë përpunuese të drurit, lënda që sigurohet nga Suedia është edhe më cilësore se tri vendet e tjera. Ajo që bie në sy është se vendet që kanë edhe sipërfaqet pyjore më të mëdha si Zvicra apo Belgjika nuk eksportojnë lëndë drusore drejt Shqipërisë. Por referuar procedurave doganore për importin e lëndës së parë drusore, bizneset shprehen se kanë vështirësi. Madje ata kërkojnë lehtësim për zhdoganimin e mallit, pa u zvarritur me orë apo me ditë të tëra, pasi kjo ndikon negativisht në punë e tyre.
Kompanitë përpunuese të drurit dhe vështirësitë e tyre
Për rreth 1400 biznese që merren me përpunimin e drurit në vend është e vështirë për të gjetur hapësirën se ku do të tregtojnë produktet e tyre. Sipas përfaqësuesve të SHPMSH, Shqipëria ka një treg të vogël për numrin e bizneseve që janë aktualisht, kështu që sfidë për të mbijetuar në treg mbetet eksplorimi i tregjeve të huaja. Kompania “Luzi 3B“me mbi 25 vite në treg, merret me përpunimin e drurit dhe ka rreth 15 persona të punësuar. Xhiroja vjetore e kësaj kompanie është mbi 100 mijë euro, ndërkohë që vetëm dy muajt e fundit ka eksportuar rreth 40 mijë euro drejt tregut europian. ”Punojmë në tregun shqiptar dhe atë të huaj si në Itali, Kosovë, Gjermani etj. Lëndën e parë e marrim nga importi, nga Afrika, Suedia, Amerika. Edhe më parë importonim lëndë drusore, por që pas moratoriumit është rritur sasia që importojmë. Lënda që importojmë nga jashtë ndikon edhe në rritjen e çmimit të produktit përfundimtar pasi është më e shtrenjtë,” shprehet për “SCAN“ përfaqësuesi i kompanisë “Luzi 3B“. Ndërsa për “Mobilieri Doda“ aktiviteti është mobilimi i ambienteve të brendshme, por edhe ndërtimi i ambienteve të jashtme si kopshte, bare, restorante apo edhe ndërtimi i shtëpive të drurit. Punimet realizohen kryesisht me lëndë të parë drusore. “Kryesisht lëndën e parë e sigurojmë në vend por kur kemi nevojë për lëndë të parë dru masiv e importojmë. Më së shumti importojmë dru ekzotik afrikan. Moratoriumi i pyjeve ka ndikuar në një farë mase pasi vitet e fundit në vendin tonë nuk është prodhuar lëndë e parë drusore cilësore për përpunimin e mobilieve. “ Puna e kësaj kompanie nuk është e fokusuar tek eksporti pasi hyrja në tregjet e huaja kërkon reklamim. “Ne mund të eksportojmë deri në 100 mijë euro në vit, por puna jonë nuk është e fokusuar tek eksporti. Prodhimet që bëjmë për eksport janë një pjesë e vogël e xhiros tonë vjetore. Shitja për ne bëhet me anë të njohjes. Nuk kemi ndryshim të produktit që shitet në Shqipëri apo në tregun europian, por shtojmë kostot e trasportit dhe montimin e produktit në vend. Do donim të fokusoheshim tek eksporti, por njohja e kompanisë jashtë është e vështirë, nuk kemi mundësinë e marketingut,” thotë për revistën “SCAN“ administratori i “Mobileri Doda“.
Referuar politikave fiskale për industrinë e përpunimit të drurit, kjo kompani njeh lehtësirat që u bëhen sa i përket eksportit por ndalet tek vështirësitë e tjera me të cilat i duhet të haset gjatë punës së saj.
“Kemi vështirësi nga më të ndryshmet që lidhen me infrastrukturën për sigurimin e lëndës së parë drusore. Ndërkohë që do të kërkonim nga shteti që të lehtësonte procedurat për importimin e makinerive të reja, tek taksat dhe tek dogana,” thotë ai.
Një tjetër problem me të cilin ndeshet industria përpunuese e drurit ka të bëjë edhe me sigurimin e lëndës së riciklueshme. Në vendin tonë nuk ka lëndë të riciklueshme që të përdoret për prodhimin e mobiljeve. “Leli Gup“ që ka fokusin kryesor tek mobileria me lëndë të riciklueshme e siguron atë nga importi.
Moratoriumi i pyjeve ende larg ëndrrës për pyllëzim
Sfidë për Shqipërinë vijon të mbetet pyllëzimi i saj. Referuar të dhënave pesimiste nga FAO 2017, qeveria në fillim të këtij viti lançoi programin për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020. Pavarësisht moratoriumit në pyje, shifrat vijojnë të jenë pesimiste për gjelbërimin e vendit. Kështu vetëm në vitin 2016 sasia e druve të zjarrit të prera në Shqipëri rezultoi të ishte rreth 2.6 milionë m3. Kjo sasi është më shumë se dyfishi i volumit të pyjeve që rriten. Deri në vitin 1990 në Shqipëri pyllëzoheshin mesatarisht rreth 5000 ha me pyje (10-15 milionë fidanë) në vit. Aktualisht, pyllëzimet në Shqipëri janë me pikatore, në sasi të vogla dhe të parcelizuara në sipërfaqe të vogla e të papërfillshme. Një faktor që ndikon negativisht në rritjen e sasive të pyllëzimit lidhet edhe me faktin se ato u transferuan tek bashkitë. Këto të fundit nuk kanë as kapacitete financiare dhe njerëzore për t’i menaxhuar pyjet. Nga ana tjetër, nevojat për investime në pyje janë shumë të mëdha, veçanërisht për mbjellje drurësh. Në vendin tonë vijon të ketë një informalitet të lartë në sektorin pyjor. Kështu vetëm sasia e druve të zjarrit që pritet çdo vit në Shqipëri, vlerësohet në rreth 75 milionë euro. Nëse kësaj vlere i shtohet edhe sasia e lëndës drusore që përdoret në industrinë përpunuese të drurit etj, sasinë e prodhimeve të dyta pyjore, kullotjen në fondin pyjor, vlerësimi i kalon 100 milionë euro në vit. Kjo vlerë përbën të paktën 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që nuk pasqyrohet në statistikat e vendit.
Entela Barjamaj/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.