“Biznesi” i ullirit – Prodhimi dhe rendimenti në stanjacion
Ulliri ka qenë një nga produktet më të sponsorizuara nga programi i subvencioneve të qeverisë së djathtë, deri në vitin 2013. Falë mbështetjes me subvencione, të paktën deri në vitin 2013, vlerësohet të jenë mbjellë rreth 10 mijë hektarë ullinj.
Zyrtarët e qeverisë ishin shprehur disa herë entuziastë për një të ardhme të shkëlqyer dhe rritje progresive të prodhimit të ullirit në Shqipëri. Por, statistikat tregojnë se prodhimi i ullirit nuk i është afruar më nivelit rekord prej 108 mijë tonësh të vitit 2012.
Në katër vitet në vazhdim, prodhimi mesatar ka qenë rreth 96 mijë tonë, me luhatje jo shumë të mëdha nga viti në vit. Pavarësisht se numri i pemëve të ullirit ka vazhduar të rritet edhe pas vitit 2013, duke arritur vitin e kaluar një numër rekord prej 10.6 milionë rrënjësh vitin e kaluar, rezultatet nuk kanë qenë shumë të kënaqshme.
Viti 2016 ka qenë disi më i mirë krahasuar me vitin 2015, megjithatë, në vlera mesatare rritja e prodhimit dhe e rendimentit është frenuar.
Ekspertët i shpjegojnë luhatjet e prodhimit edhe me faktorë klimatikë, por, ndërkohë shumë fermerë janë ankuar se një pjesë e konsiderueshme e fidanëve të rinj që janë mbjellë në vitet e fundit nuk kanë dhënë prodhim.
Megjithëse është rritur ndjeshëm numri i pemëve të mbjella, rendimenti nuk ka ndonjë përmirësim të qëndrueshëm, madje statistikat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se, në vite të veçanta, një rendiment i përafërt arrihej edhe 20 vjet më parë.
Ndonëse subvencionet kanë zgjeruar ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me ullinj, ato duket se nuk janë mbështetur gjithnjë në një ekspertizë të mjaftueshme nga fermerët dhe nga institucionet që duhet t’i këshillonin.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.