Biznesi i vogël ul qepenët – 1 orë protestë për të kërkuar shtyrjen e fiskalizimit dhe mungesën e ndihmës nga qeveria
Biznesi i vogël në kryeqytet ka ulur qepenat për rreth 1 orë në shenjë proteste për mungesën e ndihmës nga ana e qeverisë shqiptare përballë krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19, por edhe pamundësinë për të përballuar kostot që nevojiten për procesin e fiskalizimit.
Një pjesë e bizneseve në Tregun Ushqimor, pranë Qytetit të Nxënësve u solidarizuan me thirrjen e shoqatës për të kërkuar shtyrjen e afatit, ndërkohë që sipas nënkryetarit të shoqatës, Bujar Muço pjesa tjetër i druhet ndëshkimeve nga inspektorët tatimorë.
Muço i bëri apel qeverisë që të ndihmojë këtë kategori të biznesit, që sipas tij jep edhe një kontribut të rëndësishëm në ekonomie e kryesisht në drejtim të punësimit.
Procesi i fiskalizimit nisi në datën 1 Janar të këtij viti, me transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe Enteve Publike. Faza e dytë nisi zbatimit në datën 1 Korrik 2021, duke përfshirë transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, ndërsa më 1 Shtator nisi faza e fundit për transaksionet tatimpagues-konsumator, që impakton edhe biznesin e vogël dhe të mesëm.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.