Biznesi i vogël – Xhiroja mesatare është 3 milionë lekë
Xhiroja mesatare e një biznesi të vogël në Shqipëri është rreth 3 milionë lekë në vit. Të dhënat më të fundit nga anketa e ndërmarrjeve e Instat dhe që i takojnë vitit 2016 tregojnë se në Shqipëri janë afro 97 mijë biznese me një deri në katër të punësuar.
Të gjitha së bashku, sipas të dhënave të anketimit, këto biznese kanë realizuar një xhiro prej afro 287 miliardë lekësh. Me një mesatare qarkullimi prej 3 milionë lekësh në vit, mund të supozohet se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve do të duhet të regjistrohen si tatimpagues të TVSH-së, sipas ligjit të hyrë në fuqi më 1 prill.
Mbështetur në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve, pritet që fillimisht në skemë të regjistrohen rreth 10 mijë biznese të vegjël me qarkullim vjetor mbi 2 milionë lekë, kjo mbështetur në deklarimet tatimore zyrtare.
Megjithatë, për shkak të informalitetit shumë të lartë në segmentin e biznesit të vogël, është e ligjshme të mendohet se numri i bizneseve që e tejkalojnë pragun e dy milionë lekëve është më i madh. Anketa strukturore e ndërmarrjeve jep një tablo disi më të besueshme në raport me të dhënat administrative.
Nëse qarkullimi mesatar vlerësohet në rreth 3 milionë lekë, gjasat janë të mëdha që numri i bizneseve të cilat e tejkalojnë pragun e dy milionë lekëve të jetë më i lartë se 10 mijë. Megjithatë, ulja e pragut e të regjistrimit në TVSH pritet ta rrisë prirjen për mosdeklarimin e shitjeve në radhët e biznesit të vogël.
Vendosja e TVSH-së në teori do t’i bëjë më pak konkurrues bizneset që deri më tani nuk e paguanin këtë tatim dhe në shumicën e rasteve do t’i detyrojë të rrisin çmimet e shitjes.
Megjithatë, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për aktivitet të tregtimit të mallrave, ekspertët besojnë se efekti në çmime nga vendosja e TVSH-së do të jetë shumë më i vogël se niveli prej 20% i tatimit, për shkak të zbritjes së TVSH-së në blerje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.