Biznesi italian në Shqipëri-Përfundon “nxemja”, tani fillon “loja”!
Biznesi italian në Shqipëri duket se po ndryshon formë dhe se gjërat tashmë po bëhen serioze. Paçka se ndërmarrjet italiane në vendin tonë kanë qënë vazhdimisht, prania kryesore e biznesit të huaj, “loja” e vërtetë, duket se do të fillojë pikërisht tani. Sipërmarrësit italianë janë të interesuar që të investojnë në një sërë sektorësh në vend, e kryesisht ata që kanë potencialin më të madh të zhvillimit. Biznesi italian po tërhiqet gradualisht nga industria “call center”, që duket se është e destinuar të tkurret dhe po shkon drejt sektorëve më të rëndësishëm për nga vlera e shtuar që i japin ekonomisë së vendit, si infrastruktura, industria nxjerrëse apo përpunuese, turizmi, agro-industria, etj. Ky ndryshim i kursit bëhet jo vetëm për shkak të problemeve me të cilat përballet vetë ekonomia italiane, por edhe për shkak të reformimit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, ndërkohë që avantazhet janë të shumta. Pikërisht për këtë qëllim, në Shqipëri zbarkoi edhe misioni i parë i biznesit italian, i drejtuar nga Ministria italiane e Ekonomisë dhe “Confindustria”, që sollën në Tiranë rreth 200 ndërmarrje dhe rreth 400 sipërmarrës. Në lidhje me avantazhet që ofron Shqipëria, dinamikën e investimeve italiane dhe të ardhmen, flet për “Scan Magazine”, Domenico Letizia, ekspert i ekonomisë, krijues i Institutit për Kërkime Ekonomike dhe Politikën Ndërkombëtare (IREPI) si dhe menaxher i portalit “albaniainvestimenti.com”.
Sa ndërmarrje italiane operojnë aktualisht në Shqipëri dhe në cilin sektor janë përqendruar më së shumti?
Ndërmarrjet që operojnë aktualisht në Shqipëri janë më shumë se 2500 dhe e zhvillojnë aktivitetin e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Sektorët që tërheqin më së shumti sipërmarrësit italianë janë ata që lidhen me energjinë elektrike, gazin, avullin, ajrin e kondicionuar, duke marrë shtysë nga burimet e energjisë së rinovueshme, prodhimet tekstile, flukset turistike, prodhimet agro-bujqësisë, peshkimi dhe ndërtimi.
Cilët janë sektorët e ekonomisë shqiptare që premtojnë më shumë për sipërmarrësit italianë?
Një ndër objektivat kryesorë të qeverisë shqiptare është zhvillimi dhe modernizimi i sektorit energjetik, i cili ende sot vijon të mbahet pjesërisht mbi investimet e kryera gjatë periudhës së komunizmit. Sektori i tekstileve dhe veshjeve është një ndër sektorët që ka edhe suksesin më të madh në Shqipëri dhe është burimi kryesor i punësimit në manifakturë. Bazuar në një traditë të fortë të pasluftës për prodhimin e veshjeve, që nga privatizimet e viteve `90 shumë ndërmarrje lokale kanë krijuar një reputacion të konsoliduar, ndërkohë që ndërmarrjet e huaja kanë rritur ndjeshëm kuotat e tyre të prodhimit në sektor, kryesisht në drejtim të përpunimit dhe eksportit. Sektori i turizmit, nga ana tjetër, ofron, me shumë gjasa, mundësinë më të mirë të përmirësimit në Shqipëri, por edhe të ndërhyrjeve. Ky sektor është mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për atë lokale, me një kontribut thelbësor në Prodhimin e Brendshëm Bruto si dhe me një trend në rritje të vizitorëve. Nga ana tjetër, klima e Shqipërisë ofron një gamë të pafundme kulturash, që nga ajo kontinentale deri te ajo mesdhetare. Sektori bujqësor dhe ai agro-industrial është një ndër më të rëndësishmit e ekonomisë shqiptare, duke luajtur një rol kritik në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke kontribuar me thuajse 20% në PBB.
Çfarë shohin sipërmarrësit italianë në Shqipëri dhe çfarë ofron më shumë vendi ynë, jo vetëm në krahasim me Italinë, por edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit?
Shqipëria është një vend plot atraksion, pasi ka porte dhe fluturime që i mundëson italianëve që të mbërrijnë shumë shpejt në vend. Nga ana tjetër, qeveria Rama po incentivon mjaft turizmin me lehtësira fiskale, për sipërmarrësit që janë të interesuar në këtë sektor. Në Shqipëri mund të hapësh një ndërmarrje për 24 orë dhe nga ana tjetër, në vend ka të pranishme edhe shumë banka europiane. Një tjetër avantazh mjaft i rëndësishëm për sipërmarrësit italianë është edhe kostoja e punës, e ulët, por edhe e kualifikuar si dhe njohja e gjuhës italianë nga 80% e qytetarëve shqiptarë.
Cili sektor i ekonomisë shqiptare mendoni se ka potencialin më të lartë të përmirësimit?
Programi i reformave ekonomike për vitet 2017-2019 parashikon 199 reforma strategjike, forcimin e partneritetit publik-privat si dhe bashkëpunimin mes ndërmarrjeve shqiptare dhe atyre të huaja, për të nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë. Në këtë mënyrë, hapen shumë mundësi në sektorin e infrastrukturës dhe planifikimit urban, ambientit, turizmit, energjisë së rinovueshme, start-up dhe inovacion, duke ruajtur edhe nivelin e mirë të rritjes ekonomike reale.
Është Shqipëria që po tërheq italianët, apo është Italia që po i shtyn qytetarët e saj të vijnë të investojnë në vendin tonë?
Problematikat në Itali janë të panumërta dhe lidhen me taksimin, burokracitë, mungesën e shërbimeve bazë, sidomos në drejtim të drejtësisë dhe raporteve mes shtetit dhe biznesit. Shqipëria, nga krahu tjetër, ka një pozicion strategjik afërsie me vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera ballkanike, që e bën më tërheqëse në këndvështrimin ekonomiko-tregtar. Portet e Durrësit dhe Vlorës janë mjaft të rëndësishme për Ballkanin si dhe një pikë hyrje e “Korridorit 8”. Afërsia me Italinë, ndërkohë, përfaqëson një pikë force për zhvillimin ekonomik dhe tregtar, duke qënë se është thuajse përherë investitori numër një në vend.
Sektori i “call center” dhe industria tekstile janë ndër sektorët ku italianët kanë investuar më së shumti, gjatë viteve të fundit. Besoni se në të ardhmen këta sektorë do të vijojnë të zgjerohen? A ekziston një e ardhme më e mirë për “call center”-at italiane në Shqipëri, apo ky lloj biznesi do të shuhet gradualisht?
Të dhënat e fundit flasin për një rënie të aktivitetit të grupimit të aktiviteteve profesionale dhe shërbimeve administrative, çka përkthehet në një ngadalësim të aktivitetit të “call center”. Kjo është hera e parë që sektori regjistron një ngadalësim, pas rritjes së ndjeshme të viteve të fundit, pasi qeveria italiane u përpoq të ndalonte eksodin e punës drejt Shqipërisë. Më datën 1 prill të 2017, në Itali hyri në fuqi ligji mbi transmetimin e telefonatave, që solli shtrëngimin e rregullave për të transferuar aktivitetin në vendet jo europiane. I aprovuar në dhjetor të vitit të kaluar, ligji ka pasur edhe një periudhë tranzitore për të hyrë në fuqi, duke i lejuar kompanitë që të adaptohen me rregullat e reja. Sa i përket sektorit të manifakturës, Shqipëria përfaqësohet si një destinacion mjaft i konkurrueshëm, falë krahut të punës të kualifikuar dhe me kosto të ulët.
Mendoni se ka nevojë për më shumë bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, për të mbështetur ndërmarrjet italiane në Shqipëri, por edhe ato të shqiptarëve në Itali?
Është mjaft intensiv bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë në shumë sektorë të jetës shoqërore dhe politike, që nga ndihmat humanitare e deri te ndërhyrjet e nevojshme në infrastrukturën bazë, të cilat vendit praktikisht i mungonin në vitet `90, deri te bashkëpunimi në drejtim të drejtësisë dhe kapitujt e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Aktualisht, po punohet për zhvillimin e politikave humane për tutelimin e kategorive më të dobëta të shoqërisë. Janë më shumë se 800 milionë euro që Italia ka financuar në Shqipëri, gjatë të gjithë këtyre viteve, të cilave u duhen shtuar edhe ndërhyrje të tjera.
Çfarë mendoni se duhet të bëjë më shumë qeveria jonë, në drejtim të investitorëve të huaj?
Mendoj se duhet t’i japë më shumë hapësirë evenimenteve të karakterit ndërkombëtar, si misioni tregtar i drejtuar nga Ivan Scalfarotto në datat 19 dhe 20 shkurt, me 346 pjesëmarrës dhe 178 ndërmarrje. Ky ishte misioni i parë i ndërmarrjeve italiane në Shqipëri, i promovuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Punëve të Jashtme dhe e organizuar nga “Confindustria” si dhe një sërë shoqatash të tjera në vend. Objektivi i këtij misioni ishte pikërisht rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, edhe pse është shumë solid. Si dhe thellimi i mundësive për investime me fokus të veçantë në agro-industri, energji dhe infrastrukturë.
Mund të na thoni ndonjë ndryshim mes shqiptarëve dhe italianëve, sa i përket mënyrës se si e shohin punën, biznesin apo edhe ekonominë?
Italia dhe Shqipëria janë dy vende fqinje dhe ngjashmëria antropologjike është e dukshme. Reformat aktuale në Shqipëri e bëjnë vendin më tërheqës se të tjerët. Shqipëria është vendi ballkanik me orientimin kulturor më afër Italisë, që vërtetohet edhe nga njohja e gjuhës italiane në vend. Por, edhe përhapja e modelit të konsumit “Made in Italy” përfaqëson një vlerë të madhe të shtuar, që e bën Shqipërinë tërheqëse për investitorët e huaj.
Mund të na thoni ndonjë afrim të ri në Shqipëri të kompanive italiane?
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës në Shqipëri ka autorizuar procedurat për dhënien me koncesion të tre blloqeve të reja naftëmbajtëse. Shoqëritë e interesuara duhet të dorëzojnë propozimin e tyre brenda datës 31 mars, ndërkohë që gjatë kësaj kohe do të krijohet edhe grupi i ekspertëve për të vlerësuar ofertat. Shqipëria ofron një sërë mundësish për sipërmarrjet e huaja dhe për këtë këshilloj që të vizitohet portali “albaniainvestimenti.com”.
Nga Roel Korkuti/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.