Blegtoria, pëson rënie numri i gjedhëve, bagëtive e pulave – Pakësohet edhe numri i koshereve
Gjatë vitit të kaluar, blegtoria në vendin tonë ka shënuar një rënie të ndjeshme, lidhur me pakësimin e krerëve të gjedhëve, bagëtive e shpendëve.
Numri i gjedhëve zbriti me 3,4% në rreth 475 mijë krerë. Ulja është shtrirë edhe tek numri i lopëve, të cilët numërohen në 349 mijë krerë, në rënie për të tretin vit radhazi. Por pavarësisht kësaj, prodhimi i qumështit nga lopët u rrit me 0.8%, çka justifikohet me rritjen e pjesës së racave me rendiment më të lartë. Kjo vërtetohet nga fakti se rendimenti mesatar vjetor u rrit me 3.7%, duke arritur në 2849 kilogramë për krerë.
Në rënie është edhe numri i bagëtive të leshta me 2.3%, tani në 1.925 milionë krerë, nga të cilat rreth 1.407 milionë janë dele. Zëvendësimi i racave dhe teknologjive ka bërë që edhe në këtë rast të kemi një rritje të prodhimit dhe të rendimentit mesatar vjetor të deleve në 61.3 kg për krerë, pavarësisht uljes së numrit total.
Të vetmet në rritje janë popullsia e dhive, të cilat llogariten në 717 mijë krerë. Shtimi është shoqëruar me një rritje të prodhimit të qumështit nga dhitë dhe rendimentit për krerë, i cili është tani në 122 kilogram.
Me rreth 1 mijë krerë është ulur numri i derrave në Shqipëri, tashmë në 180 mijë; si edhe numri i njëthundrakëve, me rreth 5 mijë krerë më pak.
Rënia më e konsiderueshme ka qenë në numrin e shpendëve, me rreth 491 mijë shpendë më pak. Megjithatë, brenda këtij grupi është rritur numri i pulave, tashmë në 4.82 milionë. Pavarësisht kësaj rritjeje, prodhimi i vezëve ka rënë me 2.3% në vetëm 811 milionë kokrra, nga një mesatare prej 830 milionë kokrrash katër vitet e mëparshme.
Sa i takon prodhimit të mishit, ai është rritur lehtë me 1 mijë ton, në 161 mijë ton për vitin 2017.
Ndërkohë, numri i i koshereve të bletëve ka rënë në 290 mijë, krahasuar me 303 mijë në vitin 2016. Kjo mund të ketë ardhur si pasojë e disa faktorëve të ndryshëm social-ekonomikë, si ulja e kërkesës, përfitueshmëria, lëvizjet demografike, emigracioni, etj. Një tjetër faktor i raportuar në media gjatë vitit të fundit ka qenë edhe fenomeni i vjedhjes së koshereve nga fermerët.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.