Blerjet gjatë pandemisë! Raporti i Eurostat: “Shpërthen” tregtia online në 2020

Blerjet në internet janë rritur me 4% në vitin pandemik, krahasuar me vitin 2019. Sipas raportit më të fundit të Eurostat, në 5 vjeçarin e fundit (2015-2020) rritja më e madhe e blerjeve online është ndjerë në Rumani, me 27%, në Çeki dhe Kroaci, përkatësisht me 25% në secilin prej këtyre shteteve dhe në Hungari, me 23%.
Sipas raportit, në 12 muajit përpara sondazhit, më shumë se 8 në 10 përdorues të internetit kanë blerë dhe porositur mallra apo shërbime përmes internetit. Përkatësisht, në Holandë 91%, në Danimarkë 90%, Gjermani 87%, Suedi 86% dhe Irlandë 81%.
Nga ana tjetër, më pak se 50% kanë praktikuar blerjet online në Bullgari, Rumani dhe Itali (për 2019).
“Në 3 muaj para sondazhit, blerjet më të zakonshme në internet ishin rroba (përfshirë veshje sportive), këpucë ose pajisje (të porositura nga 64% e blerësve në internet). Veshjet u pasuan nga filmat ose shkarkimet (32%), dërgesa nga restorante, ushqimet e shpejta dhe shërbime hotelerie (29%), mobilie, pajisje shtëpiake ose produkte kopshtarie (28%), kozmetikë, bukuri ose produkte Wellness (27%), libra, revista ose gazeta (27%), kompjuterë, tableta, telefona celularë ose aksesorët e tyre (26%) dhe muzikë si një shërbim streaming ose shkarkime (26%)” shkruan më tej Eurostat.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.