Bletët janë në rrezik nga pesticidet, sipas monitorimeve europiane
Bletët janë vënë në rrezik nga tre pesticide, nga një grup i njohur si neonikotinat, u shpreh monitoruesi i sigurisë ushqimore të Evropës, duke konfirmuar kështu shqetësimet e mëparshme që nxitën një ndalim të përdorimit të kimikateve për BE-në.
Raporti i Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore (EFSA) i cili përfshiu një rishikim sistematik të provave shkencore të publikuara që nga vlerësimi i EFSA-s për vitin 2013, shihet si vendimtar në atë nëse moratoriumi evropian për përdorimin e neonikotinës, mbetet i pandryshuar.
“Vlerësimi i përditësuar i rrezikut pësoi ndryshime për shkak të faktorëve të tillë si lloje të ndryshme të bletëve, ekspozimi dhe pesticidet specifike, por në përgjithësi rreziku për tre llojet e bletëve që kemi vlerësuar është konfirmuar”, u shpreh Jose Tarazona, kreu i njësisë së pesticideve të EFSA.
Vendet e BE do të diskutojnë muajin e ardhshëm në Komitetin e Përhershëm të Ushqimit, një propozim të Komisionit Evropian për ndalimin e tre neonikotinave.
“Ky është forcimi i bazës shkencore për propozimin e Komisionit për të ndaluar përdorimin në natyrë të tre neonikotinave”, tha një zëdhënëse e ekzekutivit të BE.
Kompanitë kimike të drithërave janë shprehur se këto dëshmi nuk mund të fajësojnë vetëm pesticidet për rënien globale të numrit të bletëve në vitet e fundit. Ata thonë se është një fenomen kompleks i shkaktuar nga një numër faktorësh.
Dy studime në terren në Europë dhe Kanada të botuara vitin e kaluar, që kërkonin të shqyrtonin efektet e botës reale, jepnin rezultate të përziera. Ata gjetën disa efekte negative pas ekspozimit ndaj neonikotinave në popullatën e bletëve, dhe gjithashtu disa pozitive, në varësi të kontekstit mjedisor.
Ndërkohë, aktivistët e mjedisit thonë se studimi konfirmoi se rregullatorët duhet të veprojnë për të ndaluar përdorimin e neonikotinave.
“Qeveritë duhet të parandalojnë rrënimin katastrofik të popullatë së bletëve”, u shpreh Franziska Achterberg, këshilltarja e politikës ushqimore të “Greenpeace” të BE.
Raporti vlerësoi ekspozimin e pesticideve në tre rrugë: Mbetjet në polen ose nektar, gjatë mbjelljes së farave, ose gjatë konsumit të ujit.
Tarazona shprehet se tashmë, këto rezultate do të ndahen me menaxherët e riskut të Komisionit Europian dhe më pas me vendet anëtare të BE, të cilët do të vendosin për çdo ndryshim të mundshëm në kufizimet aktuale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.