Bllokimi i buxhetit – Ministria e Financave sqaron rastin e Bashkisë së Skraparit
Shkaktar për bllokimin e buxhetit në Bashkinë e Skraparit është bërë vetë Kryetari i Bashkisë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet një deklarate për median ka sqaruar situatën e krijuar në këtë institucion të pushtetit vendor.
“Ministria e Financave nuk ka asnjë përgjegjësi për bllokimin e buxhetit, dhe nga të gjitha informacionet që disponon shkaktar kryesor për këtë situatë është Kryetari i Bashkisë. Në bazë të Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore dhe Ligjit për Financat Vendore, Këshilli i Bashkisë, Skrapar me datë 04.01.2019, ka bërë miratimin e buxhetit për vitin 2019. Në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, ky vendim është konfirmuar nga Prefekti i Qarkut Berat. Sipas pikës 2 të nenit 43 të ligjit 68, datë 27.04.2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, nëpunësi autorizues që në rastin konkret është Kryetari i Bashkisë Skrapar, duhet të dërgojë në degën e thesarit detajimin e buxheti të vitit 2019, sipas vendimit të Këshillit. Pretendimi i Kryetarit të Bashkisë, Skrapar për përdorimin e buxhetit të përkohshëm vendor për vitin 2019, 1/12 e shpenzimeve të një viti më parë është në kundërshtim me ligjin për sa kohë që këshilli i kësaj bashkie është shprehur me një vendim për miratimin e buxhetit të vitit 2019”.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën me dije se I është drejtuar Kryetarit të Bashkisë, Skrapar përmes shkresës nr. 1250/1, datë 04.02.2019, të bëjë detajimin e buxhetit dhe ta dërgojë atë për zbatim në degën e thesarit Skrapar.
“Në vijim, MFE bënë sërish me dije se fondet janë të disponueshme në thesar dhe presin vetëm kërkesën e Kryetarit të Bashkisë për detajimin e buxhetit. Pa këtë detajim, që vetëm Kryetari i Bashkisë ka të drejtën në bazë të ligjit për ta dërguar si nëpunësi autorizues i bashkisë, thesari është në pamundësi ligjore të çeljes të fondeve.
“Në këto kushte, për krijimin e kësaj situate, bazuar në kuadrin ligjor Ministria e Brendshme si autoriteti qendror përgjegjës për pushtetin vendor, përmes Drejtorisë së Çështjeve Vendore dhe Prefekturave ka nisur procedurat për inspektimin e të gjithë praktikës të dokumentacionit për këtë rast dhe në ditët në vijim merret një vendim për zgjidhjen. Ministria e Financave do të bëjë çeljen e fondeve menjëherë sapo të depozitohet detajim i buxhetit sipas ligjit”, thuhet në deklaratë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.