Bllokohen dhe hiqen nga tregu 31.2 ton kripë – AKU gjobit dy subjekte
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vijon monitorimin/kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi nga operatorët e biznesit ushqimor (OBU) të cilët kanë si aktivitet importimin, përpunimin dhe ambalazhimin e produktit “kripë”, nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë në zinxhirin ushqimor “kripë për konsum njerëzor dhe industrinë ushqimore”.
Kjo, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit nëpërmjet parandalimit të çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut.
AKU tha se së fundmi nga kontrollet e ushtruara në dy subjekte kryesore tregtuese të kripës në vend, u konstatua gjendje e produktit kripë me nivel jodi nën normën e lejuar, dhe si rrjedhojë u mor masa administrative “Bllokim” për sasinë 31 ton dhe masa administrative “Gjobë” në vlerën totale prej 2,6 milionë lekë.
Përsa i përket kontrollit të ushtruar në subjektin e parë “Eurolab” u konstatuan 4 shkelje ligjore dhe u morën masa administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë për importim në kundërshtim me Ligjin e Ushqimit, ku mungonte certifikata origjinale e lëshuar nga vendi i origjinës. Gjithashtu, AKU tha se për mungesë të një sistemi funksional gjurmueshmërie, u mor masa administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë, për etiketim produkti të parregullt, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë dhe për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit Ushqimor, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 300,000 lekë.
AKU bëri me dije se përpos masave të mësipërme, u vendos masa “Bllokim” për sasinë prej 16.2 ton kripë dhe subjektit ju kërkua të tërheqë nga tregu të gjithë sasinë e kripës, e cila nuk përmbushte kriteret ligjore për nivelin e jodit me detyrën për asgjësimin e saj. Po ashtu, u vendos ndërprerja e menjëhershme e veprimtarisë së tregtimit të kripës.
Në subjektin e dytë (N&N) nga kontrolli i kryer për përmbushjen e kërkesave ligjore për tregtimin e kripës, sipas njoftimit u konstatuan disa problematika dhe u mor masa për import në kundërshtim me ligjin, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë dhe për veprime në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë së produktit, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë.
AKU tha se Operatori i Biznesit Ushqimor u urdhërua të tërheqë nga tregu produktin “kripë” të shpërndarë për shitje në sasinë prej 15 ton dhe kthimin e saj në vendin e origjinës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.