Boeing do paguajë 2.5 mld USD gjobë. Shlyen hetimin kriminal mbi 2 përplasjet vdekjeprurëse të 737 MAX
Gjiganti amerikan i avionëve , Boeing, do të paguajë 2.5 miliardë dollarë për të zgjidhur hetimin e Departamentit të Drejtësisë në SHBA ndaj 2 përplasjeve vdekjeprurëse të modelit 737 MAX, që kanë lënë mbi 346 njerëz të vdekur. Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur se pagesa përfshin një gjobë monetare kriminale prej 243.6 milionë dollarë, kompensim ndaj klientëve të Boeing 737MAX prej 1.77 miliardë dollarë dhe një fond prej 500 milionë dollarë për viktimat e përplasjeve, për të kompensuar trashëgimtarët, të afërmit dhe përfituesit ligjorë të pasagjerëve.
Aksidentet sollën ndalimin e avionit për 20 muaj në Mars 2019, që u hoq në Nëntor 2020, pasi Boeing bëri investime të mëdha të sigurisë. Kompania dorëzoi gjithashtu dokumente në gjykatë, që tregonin se dy prej pilotëve teknikë të avionëve 737MAX kanë mashtruar Administratën Federale të Aviacionit mbi një sistem thelbësor të sigurisë, që lidhet me 2 aksidentet vdekjeprurëse. Ekzekutivi i Boeing, David Calhoun, tha në një deklaratë se marrëveshja “pranon se si ne dështuam me vlerat tona dhe pritshmëritë”. Fondi i linjave ajrore do përfshijë pagesa e mëparshme që janë bërë nga Boeing.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.