Boeing në krizë! Ndalon prodhimin e 737 MAX. Nuk merr miratimin rregullator
Boeing do të ndalojë prodhimin e avionit më të shitur 737 MAX në Janar, ndërkohë që pasojat e dy përplasjeve për kompaninë do të vazhdojnë në vitin 2020. Boeing, që ndërton modelin 737 në Seattle, deklaroi se nuk do të shkurtojë stafin prej 12,000 punëtorësh atje gjatë ndalimit të prodhimit, megjithatë shtoi se kjo do të ketë pasoja tek zinxhiri botëror i ofertës dhe ekonomia e Shteteve të Bashkuara.
Vendimi i bordit erdhi pasi Administrata Federale e Aviacionit e refuzoi rikthimin e avionit në shërbim përpara 2020-ës. Avioni 737 MAX është pezulluar që prej muajit Mars, kur dy përplasje në Indonezi dhe Etiopi vranë 346 njerëz brenda 5 muajve, gjë që i ka kushtuar kompanisë mbi 9 miliardë dollarë deri më tani. Vendimi për të ndaluar prodhimin do të ketë ndikim të menjëhershëm tek linjat ajrore që kanë porositur avionët. Autoritetet thonë se do të ketë ndikim tek ekonomia e Shteteve të Bashkuara.
Deri më tani, Boeing ka vazhduar të prodhojë avionë 737 MAX me një normë prej 42 në muaj dhe ka blerë pjesë nga furnitorët në 52 njësi në muaj, pavarësisht se dërgesat kishin ndaluar deri sa të merrej miratimi i rregullatorëve. Ndërkohë që dërgesat ishin penguar dhe fabrikat operonin në kapacitet të plotë, Boeing kishte thënë se do të dërgonte 400 avionë që mbante në magazinë, menjëherë pas miratimit të Agjencisë së Aviacionit. Aksionet e prodhuesit të avionëve ranë me 4% në përfundimin e tregtisë të së Hënës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.