Bonot bien në 2.81% – Kthimi i kërkesës ul interesat
Interesat e bonove të thesarit ranë për të tretin ankand radhazi, si rezultat i një rritje të ndjeshme të kërkesës së tregut financiar për të investuar në bono. Rënia konfirmon një ndryshim të ndjeshëm të tendencës së interesave që nga fillimi i vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandet e kësaj jave, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.81%, në rënie nga niveli prej 3.05% i ankandit të mëparshëm. Pas rritjes së ndjeshme në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, interesat po stabilizohen. Investitorët po orientojnë më shumë fonde drejt këtij tregu, çka sinjalizon një sasi më të madhe likuiditetesh të lira në sistemin financiar.
Nga 9.7 miliardë lekë bono të ofruar në ankande nga Ministria e Financave, kërkesat totale arritën në 15.4 miliardë lekë. Frenimi i rritjes së interesave ishte i pritshëm, si përmbushje e një korrektimi të interesave nga nivelet tepër të ulëta ku arritën në mesin e vitit të kaluar.
Ekspertët, megjithatë, nuk presin një tjetër rënie të krahasueshme me periudhën kur interesat e bonove afatshkurtra zbritën edhe më poshtë se norma bazë e interesit. Stabilizimi i interesave të bonove pritet të ndikojë në ruajtjen e normave të ulëta të interesit edhe për depozitat bankare dhe kreditë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.