Bonot e privatizimit dhe shtyrja e radhës. Padrejtësia e përhershme ndaj qytetarit shqiptar! Flasin për “SCAN Magazine” Elvin Meka e Zyfer Caco
Qeveria ka shtyrë deri në fund të vitit 2018 vlefshmërinë për bonot e privatizimit. Sipas ligjit në fuqi, këto bono janë të tregtueshme midis individëve vendas dhe të huaj si dhe janë të vlefshme edhe në procesin e privatizimit të objekteve shtetërore. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.
Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Në procesin e privatizimit masiv u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre, 14.59 për qind e totalit ose 21.35 për qind e bonove të privatizimit të shpërndara. Për të mësuar më shumë rreth impaktit që kanë patur deri më sot në ekonomi, si dhe çfarë mendohet të ndodhë deri në fund të vitit 2018, “SCAN Magazinë” ka pyetur Prof.Asoc. Dr. Elvin Meka, Zv. rektor për Procesin Akademik në Universitetin Europian të Tiranës dhe z. Zyfer Caco, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës për Bonot e Privatizimit.
Në muajin shkurt 2017, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të shtyjë deri më 31 dhjetor 2018 afatin e përdorimit të bonove të privatizimit. A mund të heqë të drejtën e pronësisë një qeveri apo Kuvendi, siç është rasti i bonove të privatizimit?
Elvin Meka: Në fakt, Kuvendi thjesht ka shtyrë një të drejtë të ushtrimit të titullit të pronësisë, por që në thelb është një shtyrje drejt një afati që mesa duket nuk ka për të qenë i fundit. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se çdo qeveri thjesht e ka shtyrë për më vonë trajtimin e kësaj çështje të veçantë, jo pak të rëndësishme sociale dhe ekonomike, por fatkeqësisht të mbajtur larg vëmendjes që ajo ka merituar. Cilado qeveri që do vendosë të anulojë bonot e privatizimit thjesht do marrë përsipër një kosto morale dhe kjo do të ndodhë kur mjedisi i shoqërisë shqiptare të jetë më i qetë në të gjithë drejtimet.
Zyfer Caco: Ta themi që në fillim se po të ishte për vullnetin politik të qeverive dhe politikanëve shqiptarë, bonot dhe lekët e privatizimit do i kishin nxjerrë jashtë qarkullimit me kohë, por nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë sepse kjo do të ishte antiligjore. Është një lloj sikur shteti të të nxjerrë nga shtëpia që e ke blerë sipas gjithë rregullave e legjislacionit dhe të të thotë se “kjo është prona ime”. Kështu është dhe puna e këtyre letrave me vlerë, të cilat u janë shpërndarë ish-punonjësvë të ndërmarjeve shtetërore, punonjësve të administratës, punonjësve të arsimit, kulturës, shkencës, ushtarakëve si dhe ish-të përndjekurve politikë të sistemit të kaluar, të cilëve u janë dhënë për të shpërblyer një pjesë të punës dhe djersës së tyre të papaguar, me të cilën u ndërtuan veprat industriale, bujqësore dhe në gjithë fushat e tjera të ekonomisë socialiste. Pra, këto letra me vlerë janë pronë private e ligjshme dhe shteti e ka për detyrë që t’i shndërrojë në aksione nëpërmjet procesit të privatizimit.
Për bonot e privatizimit që janë emetuar në fillim, afati i përdorimit të tyre ishte caktuar të përfundonte që në vitin 1996, ndërsa për ato të emetuara më vonë, ky afat u caktua fundi i vitit 1999. Por, të gjitha qeveritë e këtyre 22 vjetëve e kanë shtyrë këtë afat herë pas here dhe së fundi u caktua deri në fund të vitit 2018. Kjo për arsye se politika shqiptare nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar që të pronësojë qytetarin e thjeshtë, meraku i qeverive ka qenë vetëm për të shpërblyer e falur gjobat për sipërmarrjen. Pra, interesin e publikut të gjerë e ka patur dhe e ka për “dorë të fundit”.
Bonot janë emetuar në verën e vitit 1995. Çfarë impakti në ekonomi kanë patur deri më sot këto letra me vlerë?
Meka: Ajo që mund të thuhet me siguri është se këto letra me vlerë i kanë shërbyer fare pak arritjes së qëllimit dhe përmbushjes së objektivit fillestar dhe thelbësor, për të cilin u emetuan dhe u shpërndanë ato, që nga viti 1995: rishpërndarjen e pasurisë kombëtare të krijuar gjatë viteve të komunizmit, në publikun shqiptar mbi një moshë të caktuar. Ndikimi i tyre në ekonomi, më shumë sesa ekonomik do të ishte parimor dhe në mentalitetin e sipërmarrjes së biznesit dhe rrezikut në Shqipëri. Sigurisht që ndikimi i tyre ne ekonomi është i papërfillshëm në raport me atë çfarë duhej dhe mund të realizohej nëpërmjet angazhimit të tyre në procesin e privatizimit të pasurisë kombëtare. I vetmi efekt madhor i tyre ishte përdorimi në procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme, një objektiv ky aspak normal dhe në kufijtë e çudisë, për një proces kaq madhor transformimi ekonomik dhe social, që supozohej se kishte privatizimi i pasurisë kombëtare nëpërmjet letrave me vlerë (bonove të privatizimit). Si përherë, Shqipëria edhe në këtë drejtim vijoi dhe vijon të ecë nëpër rrugë origjinale e të devijojë nga aksi natyral dhe logjik i përdorimit të një instrumenti të tillë vital transformues për ekonominë.
Caco: Gjatë viteve 1995-96 me anën e metodës së privatizimit masiv, letrat me vlerë u përdorën për të privatizuar disa ndërmarje, ose pjesë të tyre. Impakti i përdorimit të tyre ka qënë i ndryshëm sipas efektivitetit të menaxhimit nga administratat përkatëse. Por, e rëndësishme është se qytetarët që patën fatin dhe mundësinë e përdorimit të letrave me vlerë përfituan, sepse prona e privatizuar në atë kohë u mbivlerësua mbi dhjetëfish. Po kështu, u shumëfishua edhe vlera reale e tyre në raport me vlerën e emetimit. E kundërta ka ndodhur me letrat me vlerë të papërdorura, pronës i është rritur vlera, ndërsa këtyre instrumenteve kjo vlerë u është minimizuar.
A mund të ishin përdorur masivisht në privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore?
Meka: Patjetër, që ekzistonin të gjitha mundësitë që këto bono privatizimi të ishin përdorur për pjesëmarrjen masive të qytetarëve në blerjen e pasurisë kombëtare që u privatizua në vite. Më shumë se sa një detyrim ekonomik, për t’u rikthyer qytetarëve shqiptarë një pjesë të pasurisë së krijuar në dekada, me një punë minimalisht të paguar dhe jo rrallë të papaguar, ky ishte një detyrim moral për të trajtuar me drejtësi të gjithë në procesin e privatizimit të pronës shtetërore. Për rikujtesë, shitësve të dyqaneve iu ofrua mundësia për të blerë me çmime qesharake dyqanet dhe njësitë e shërbimit shtetërore, të cilat brenda një kohe fare të shkurtër rifituan vlerën e tregut që i takonte, duke pasuruar mijëra përfitues me investime minimale, ndërkohë që armata e madhe e mësuesve, pedagogëve, shkencëtarëve, mjekëve, inxhinierëve, ushtarakëve, teknikëve, e deri te punëtori më i thjeshtë, nuk iu dha një mundësi e tillë, duke i përjashtuar plotësisht nga mekanizmi dhe konjuktura në vite e tregut të lirë. Ky është thjesht një trajtim i padrejtë, përgjatë dy dekadave, për qytetarët shqiptarë.
Caco: E thashë edhe në fillim dhe po e them akoma më qartësisht se duke përjashtuar qeverinë e “djathtë” të Meksit, gjithë qeverive të tjera shqiptare u ka munguar vullneti politik për të ndihmuar qytetarin e thjeshtë, shtresat në nevojë, pjesën më të varfër të shoqërisë, ndaj të cilave politikanët e sidomos qeveritë e “majta” “përbetohen” çdo ditë. Por, në fakt, lidhur me problemin që trajtojmë, ato kanë mbajtur qëndrim negativ, tallës e të paprecedent. Në gjithë Evropën Lindore që u përdor kjo lloj letre me vlerë ato u futën në privatizim brenda dy viteve të para dhe vlera në tregun e tyre e kaloi atë nominale, ndërsa rasti i Shqipërisë, mospërdorimi i tyre që zgjatet kaq shumë është rast unikal. Një rast për t’u analizuar e hetuar edhe nga drejtësia është mashtrimi shtetëror nëpërmjet ish-Fondit të Investimeve Angloadriatica.
Ky Fond u krijua që në kohën e qeverisë Meksi si një shpresë e madhe për gjithë qytetarët që posedonin këto letra me vlerë. Me një propagandë të madhe mediatike që nga viti 1996, duke vazhduar dhe me qeveritë Nano, Majko e Meta, deri në vitin 1999 shqiptarët depozituan në këtë Fond mbi 10 miliardë të këtyre letrave me vlerë, por asnjëherë atij Fondi nuk iu dhanë asete të ekonomisë shtetërore për privatizim dhe kështu në treg vlera e tyre ra në 1-5 % të vlerës nominale. Me këto çmime qesharake u mblodhën dhe u depozituan përsëri në llogari të Angloadriatica-s. Por, tallja me qytetarin nuk mbaroi këtu, ajo vazhdoi me qeverinë Berisha dhe ministrit të Financave, Bode, të cilët ua rikthyen qytetarëve gjithë bonot e depozitës së Fondit, duke e deformuar ironikisht tregun e lirë të tyre. Shtrohet pyetja se si ka mundësi që Prokuroria e Përgjithshme ka heshtur ndaj kësaj afere korruptive, edhe pse ka patur denoncim?!
Për të mos ndodhur më fenomeni i shtyrjes së afatit të përdorimit, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë u sugjeron shprehimisht “strukturave përkatëse ekzekutive të hartojnë një strategji të plotë për përdorimin e këtyre instrumenteve financiare në treg”. Mendoni se një strategji e re e mirëdetajuar do të ndikonte në përdorimin masiv dhe efikas të këtyre instrumenteve?
Meka: Përdorimi i tyre në kushtet aktuale bëhet gjithnjë dhe më i vështirë, jo vetëm për shkak të vlerës së tyre nominale dhe reale, krejt jashtë kontekstit të evoluimit të çmimeve të aktiveve dhe pasurive në treg, por për më tepër kur shumica e aktiveve dhe pasurive të rëndësishme shtetërore tashmë janë privatizuar, tjetërsuar, apo shkatërruar. Për më tepër, në kushtet e një nevoje gjithnjë e më të madhe për qeveritë për fonde likuide, ofrimi dhe i atyre pasurive të mbetura kundrejt bonove të privatizimit do të ishte gjithnjë opsioni më pak i zbatueshëm. Përmbledhtazi, ka fare pak shanse që këto letra me vlerë të mund të shohin dritën e përdorimit masiv të tyre në ndonjë privatizim të pronës shtetërore; edhe nëse një gjë e tillë do të ndodhë, përdorimi i tyre do të jetë minimal. Nëse qeveritë në vite do kishin vullnetin, jo vetëm për përdorimin e këtyre letrave me vlerë, por edhe për zhvillimin e bursës së kapitaleve, do të kishin planifikuar përfshirje e tyre në këtë proces.
Për hir të faktit duhet të përmend se Bursa e Tiranës (dhe unë personalisht) i kemi propozuar zyrtarisht Ministrisë së Ekonomisë, në fillim të viteve 2000 që, për të mundësuar tërheqjen e një sasie të madhe bonosh privatizimi, qeveria të mund të listonte në Bursën e Tiranës 1-2 shoqëri të mëdha që do dilnin nga privatizimi strategjik, e në vijim të mund të shiste në kohë të ndryshme pjesë të vogla paketash të aksioneve të tyre, kur edhe vlera e tyre në bursë të rritej. Në këtë mënyrë, edhe qeveria përmbushte detyrimin e saj ndaj qytetarëve, duke tërhequr mbrapsht bonot e privatizimit dhe duke i dhënë mundësinë t’i investonin me vlerë të plotë, edhe publiku investonte në këto shoqëri, duke u bërë aksionar e duke përfituar nga loja e tregut (bursës). Për më tepër, do të kishim dhe një bursë funksionale, që do të shërbente dhe si orientuese edhe për të tjera biznese të mëdha, për ta përdorur atë në vijim për qëllimet e tyre të financimit afatgjatë. Për fat të keq, një propozim i tillë nuk u konsiderua dhe ndoshta nuk u gjykua i vlefshëm dhe i realizueshëm.
Caco: Kjo “strategji” në komision u iniciua nga zoti Anastas Angjeli si për të justifikuar atë që dhe ai nuk e bëri, ose e bëri keq kur ishte vetë në krye të këtyre punëve si ministër. Unë mendoj se nuk ka nevojë për një strategji të re për arsye se nevojitet vetëm vullneti politik qeveritar për ta realizuar. Ekzistojnë ligjet dhe VKM-të e nevojshme që kanë hapur rrugën e ezaurimit të letrave me vlerë, por ato nuk zbatohen edhe për arsye sepse janë ndërtuar në atë mënyrë që po të dojë qeveria i zbaton dhe po deshi nuk i zbaton.
Ja një shembull: Është në fuqi Ligji nr.8306 datë 14.3.1998, për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë, ku thuhet: “Neni 8. Pjesëmarrja me letra me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohet në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më e lartë se 20% e kapitalit të kontabilizuar. Mënyra e përfaqësimit të mbajtësve të aksioneve dhe të drejtat që rrjedhin prej tyre, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.” Por asnjë herë nuk u përcaktua “Paketë për publikun”. Ndërsa, në një takim me z. Luan Shahollari në kohën kur ishte zv.ministër i Financave, i kërkuam pse nuk zbatohet kjo dispozitë, ai na jep përgjigjen irrituese se “përcaktimi deri në 20% përfshin edhe zeron”. Kjo është politika e turpshme e ndjekur nga qeveritë tona të “majta” e të “djathta”.
A mund të privatizoheshin aksionet shtetërore të disa kompanive si “Albtelecom“,“Armo“,“INSIG“ me bonot e privatizimit, duke nënkuptuar këtu edhe të drejtën e blerjes së qytetarëve shqiptarë dhe jo të të huajve?
Meka: Pa as më të voglin kundërshtim: PO! Ky ishte dhe qëllimi i emetimit të tyre, pra përdorimi i tyre në blerjen e pasurive të tilla, përveç ndërmarrjeve të vogla dhe jostrategjike, apo ato që u shitën gjatë procesit të privatizimit masiv. Fatkeqësisht, përveç punonjësve të këtyre shoqërive, asnjë grup tjetër interesi nuk i ka përdorur ato për të blerë aksione në këto shoqëri. Për të qenë realistë, nuk pritej që shumica e aksioneve të këtyre shoqërive të shitej kundrejt bonove të privatizimit, por edhe një anashkalim i tillë ekstrem i përdorimit të tyre në procesin e privatizimit është i pashpjegueshëm nga cilido këndvështrim që ai mund të shikohet.
Caco: Përveçse asaj që e kam përsëritur disa herë në këtë intervistë, vullnetit politik qeveritar, nuk ka asnjë pengesë që shteti të shesë aksionet e tij me bono e lekë privatizimi, jo vetëm për kompanitë që përmenden, por edhe në “Albpetrol“ e kudo ku shteti është aksioner. Ky është një detyrim ligjor i pa realizuar nga shteti. Kaq pa përgjegjësi ka vepruar shteti, sa nuk zbaton edhe kuadrin ligjor që punonjësit e kompanive që privatizohen, të përdorin bonot familjare, siç është rasti i “Armos“, por dhe atje ku ato janë përdorur si rasti i “Albtelecomit“, edhe pse të regjistruara në QKR, kompania nuk i njeh si aksionerë për t’u dhënë dividentin përkatës. Shteti ka lejuar me ligj dhe e ka përcaktuar edhe ne bonot e emetuara se ato janë lirisht të tregtueshme midis qytetarëve. Duke patur parasysh se për faj të shtetit që nuk ka krijuar kushte për pêrdorimin e tyre për një periudhë kaq të gjatë, vlera e tyre në raport me kohën e emetimit është zvogëluar disa dhjetëfish, shteti duhet të shesë aksionet e tij me vlerën e aksionit të çdo kompanie pa ankand, por sipas vlerës nominale të bonove e lekëve të privatizimit.
Si e gjykoni tregtimin e këtyre letrave me vlerë në bursë duke shmangur kështu informalitetin e tregtimit të tyre në rrugë?
Meka: Edhe po të kishte bursë përsëri tregtimi i tyre nuk do të sillte ndonjë vlerë të shtuar për vet bonot e privatizimit dhe përdoruesit, apo tregtuesit e tyre. Më shumë sesa të mund të tregtoheshin lirisht, do të ishte mirë që ato të mos tregtoheshin (pra të ishin ta patransferueshme, ose të investueshme vetëm te fondet e investimeve që duheshin lidhur detyrimisht me procesin e privatizimit strategjik), me qëllim që publiku të kishte mundësi të ushtronte të drejtën e blerjes së pasurisë që do të privatizohej, e më tej, të vendoste lirisht t’i mbante ato aksione apo t’i shiste me një vlerë të ndryshme (logjikisht dhe mundësisht më të lartë) në të ardhmen. Në këtë mënyrë, këto letra me vlerë do përmbushnin qëllimin e emetimit të tyre dhe pasuria do të shpërndahej drejtësisht te publiku investues.
Caco: Kjo pyetje është sa interesante për letrat me vlerë në formën e bonove të privatizimit, aq dhe për ato në formën e aksionit. Po ku e ka lënë informaliteti 26 vjeçar i ekonomisë që edhe në Shqipëri të kemi një bursë funksionale për tregtimin e kapitaleve?! Sa herë është folur, sa herë janë marrë vendime e ligje të ndryshme dhe sa ekspertë të huaj e vendas janë marrë për ngritjen e saj, por rezultati ka qenë zero. Këtë e kanë kërkuar dhe kompanitë serioze, por fakti qëndron se ekzistenca e informalitetit në ekonomi nuk ka lejuar funksionimin e një burse të tillë. Jemi i vetmi vend në rajon pa një bursë për tregtimin e kapitaleve.
Nëse një ditë do të kemi një bursë të tillë, do të ishtë shumë e përshtatshme edhe për tregtimin e këtyre letrave me vlerë, ose nëpërmjet kësaj burse të blihen aksione edhe me këto. Sigurisht, kjo do të shmangte dhe tregtimin e tyre në rrugë ku njerëz në nevojë i shesin për një “copë bukë”, apo për një kafe. Blerësit e vetëm në rrugë të këtyre letrave me vlerë janë personat që legalizojnë ndërtimet pa lejë mbi troje, jo të tyre dhe rrallë ndonjë person që privatizon ndonjë objekt në truallin e tij të kthyer nga ATP. Kjo ka sjellë edhe një diferencim social midis qytetarëve, sepse dikush që atë e posedon në mënyrë të ligjshme e shet me çmimin 10% të vlerës nominale, ndërsa ai qytetar që legalizon një truall të përvetësuar ilegalisht, përveç lëshimeve të tjera, bonon e blerë me 10% e shfrytëzon me vlerën nominale, 100%.
Dorian Koça/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.