Bonot e Thesarit – Interesat rriten për të dytin ankand radhazi
Interesat e bonove të thesarit në tregun primar kanë ndërprerë ciklin e rënies që kishte nisur në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
Në ankandin e të martës, interesi i bonove 12-mujore u rrit për të dytën herë radhazi dhe arriti në nivelin 1.37%. Përmbysja kishte nisur qysh në ankandin e parë të muajit maj, kur interesi i bonove u rrit në 1.2%, pasi në fund të prillit kishte prekur minimumin historik prej 1.12%.
Rritja e interesave të bonove ishte e pritshme, duke pasur parasysh se ulja kishte arritur nivele të paparashikuara. Sidomos pas emetimit të euronbondit në tetor të vitit të kaluar, tregu i brendshëm financiar u gjend edhe më likuid se zakonisht. Qeveria jo vetëm që uli huamarrjen në tregun e brendshëm, por edhe ri financoi një pjesë të borxhit ekzistues. Kjo rriti konkurrencën mes investitorëve për të blerë bono dhe obligacione, në mungesë të alternativave të tjera të investimit financiar në monedhën vendase. Në këto kushte, interesat e letrave të borxhit qeveritar zbritën në vlera të paregjistruara më parë.
Megjithatë, kjo rënie natyrshëm arriti një pikë fundore dhe interesat po nisin të lëvizin drejt niveleve më të arsyeshme. Në ankandin e të martës, sërish kërkesat e paraqitura kishin vlerë më të lartë se shuma e shpallur e bonove për shitje. Pavarësisht nga kjo, interesi mesatar i ponderuar u rrit, çka reflekton edhe pritshmëritë e investitorëve për rritje të interesave nga nivelet ku kishin arritur. Pavarësisht se interesat mund të jenë drejt një faze rregullimi në rritje, ekspertët nuk presin që kjo rritje të ketë përmasa të mëdha.
Sinjalet e Bankës së Shqipërisë për shtyrjen e normalizimit monetar dhe gjendja likuide e tregut financiar pritet të ndikojnë në norma të ulëta interesi edhe në të ardhmen afatshkurtër.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.