Bonot e thesarit – Të premten ankandi i fundit për vitin 2017
Të premten qeveria shqiptare do të organizojë ankandin e fundit të bonove të thesarit për vitin 2017. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shuma e shpallur për financim është 17.4 miliardë lekë, e ndarë mes bonove me maturim 12 mujor dhe atyre me maturim 3-mujor.
Në gjysmën e dytë të këtij viti, interesat e bonove të thesarit kanë regjistruar një rritje të lehtë, por të vazhdueshme. Në ankandin e fillimit të këtij muaji, interesi i bonove 12 mujore arriti në 2.63%, nga rreth 1.8% që kishte qenë në mesin e vitit.
Kjo tregon se investimi në letrat e borxhit të qeverisë po siguron kthime disi më të kënaqshme. Rritja e interesave paraqitet si tendencë ekuilibrimi e tregut drejt niveleve më të arsyeshme.
Investitorët, kryesisht bankat, duket se po vërejnë një përmirësim të kërkesës për kredi nga sektori privat. Kjo duket se po ndikon në një çmim disi më të lartë të kërkuar për të financuar deficitin qeveritar.
Ekspertët e tregut financiar, ashtu si edhe Ministria e Financave, presin që një rritje e lehtë e interesave të bonove të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Rritja e interesave të bonove reflektohet në kohë edhe në interesa më të larat për kreditë afatgjata në lekë, që, në shumicën e rasteve, kuotohen mbi bazën e interesit të bonove të thesarit, plus një marzh fiks.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.