Bonot e Thesarit – Tregu likuid, interesi bie sërish në 2.47%
Interesi i bonove të thesarit pësoi sërish një rënie të lehtë në ankandin e kësaj jave. Në ankandin e zhvilluar të martën, bonot 12-mujore u emetuan me një normë mesatare të ponderuar prej 2.47%, nga 2.55% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Tregu financiar këtë fillim viti duket mjaft likuid dhe kërkesat në ankande arritën vlerën e mbi 13.5 miliardë lekëve, nga 9.2 miliardë lekë që ishte vlera e bonove të shpallura për shitje nga Ministria e Financave.
Rritja e kërkesës së tregut për bono shpjegon tendencën në rënie të normave të interesit. Fillimi i vitit është një periudhë kur institucionet financiar dhe sidomos bankat kanalizojnë më shumë investime në tregun e letrave me vlerë, ndoshta edhe sepse kërkesa e sektorit privat për kredi është më e pakët.
Një tendencë e ngjashme u vërejt edhe në muajt e parë të vitit të kaluar. Ndërsa gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, interesat e bonove dhe obligacioneve u rritën me ritme të ngadalta, por të qëndrueshme.
Megjithatë, stabilizimi me tendencë rënieje të lehtë në muajt e parë të këtij viti dëshmon se kthimi përfundimtar në ciklin rritës të interesave në tregjet financiare do të kërkojë ende kohë.
Ruajtja e interesave të ulëta pasqyron sinjalet e dhëna në treg nga Banka e Shqipërisë, që ka paralajmëruar vazhdimin e politikës monetare lehtësuese edhe për vitin 2018.
Interesat e ulëta të bonove të thesarit ndihmojnë në ruajtjen e interesave të ulëta edhe për kredinë bankare afatgjatë në lekë, që kuotohet mbështetur në interesat e bonove.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.