Borxhi i brendshëm – Individët financojnë 15% të totalit
Interesi i individëve për të investuar në letrat e borxhit të qeverisë shqiptare vazhdon të jetë i lartë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të qershorit, individët mbanin 15% të totalit të borxhit të brendshëm, pranë niveleve më të larta të regjistruar ndonjëherë.
Për shkak të rënies së ndjeshme të interesave të depozitave, vitin e kaluar individët kanë tentuar më shumë investime në ankandet e bonove dhe obligacioneve, për të përfituar interesa sadopak më të lartë. Në veçanti, obligacionet kanë ruajtur norma interesi të kënaqshme. Nga ana tjetër, bankat tregtare ngelen financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare.
Në fund të gjashtëmujorit, bankat zotëronin afro 61% të stokut të borxhit, nga 60.3% që ishte pjesa e tyre në fund të vitit 2016. Banka e Shqipërisë vazhdon të ulë pjesën e saj në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, duke arritur një minimum historik prej rreth 8.4%, nga 9.3% që kishte në fund të vitit të kaluar.
Peshë të konsiderueshme në treg kanë edhe institucionet financiare, kryesisht fondet e investimit, me rreth 14%. Edhe këto fonde kryesisht investojnë në bono dhe obligacione të individëve, ndaj, tërthorazi, bëhet fjalë për një pjesë tregu që në shumicë i takon individëve dhe që e çon pjesën e tyre, në total, në rreth 30%.
Në fund të qershorit, borxhi i brendshëm i qeverisë shqiptare kishte vlerën e 575 miliardë lekëve, në rritje me 2.5% që nga fillimi i vitit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.