Borxhi i qeverive të Eurozonës – Bankat qendrore shtojnë blerjet e obligacioneve prej rritjes së yield-eve
Bankat qendrore kanë shtuar blerjet e obligacioneve qeveritare të Eurozonës, nxitur nga rritja e yield-eve, valuta e fortë dhe perspektiva e pasigurt mbi borxhin amerikan dhe dollarin. Sipas të dhënave nga Reuters, bankat qendrore kanë blerë sasi të konsiderueshme të borxhit të emetuar nga Belgjika, Franca dhe Gjermania.
Sipas burimeve, bankat në Norvegji edhe Kinë kanë qenë më aktivet, ndërkohë që e fundit po sheh për alternativa ndaj titujve të Thesarit në SHBA. Borxhet qeveritare të Eurozonës janë bërë më tërheqëse prej rritjes së yield-eve këtë vit nga nivelet rekord të ulëta, ndërkohë që Banka Qendrore Europiane ka rritur pritshmëritë e investitorëve mbi përfundimin e programit të lehtësimit sasior në një kohë të rimëkëmbjes ekonomike.
Shqetësimet mbi zhvlerësimin e dollarit dhe perspektivës ndaj titujve të Thesarit janë shtuar kur administrata e Donald Trump shprehu se e mirëpret rënien e valutës. Kriza e borxhit të Eurozonës bëri që bankat qendrore të largohen nga valuta e përbashkët duke i’u drejtuar dollarit, që sipas të dhënave të FMN përbën 63% të rezervave totale të institucioneve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.